Veliaj: Deri në fund të mandatit ndërtojmë 20 shkolla në Tiranë

Tirana

Veliaj: Deri në fund të mandatit ndërtojmë 20 shkolla në Tiranë

Më: 8 gusht 2017 Në ora: 16:11
Veliaj inspekton rindertimin e shkolles se re "Hoxha Tahsin"

Shkolla e re e rindërtuar “Hoxha Tahsin” do të çelë dyert për një mijë nxënësit e saj në shtator. Ajo është e para ndër 20 shkollat e reja që Bashkia e Tiranës do të ndërtojë në kryeqytet, falë planit të saj ambicioz për shmangien e mësimit me dy turne. Ndërkaq, në shtator pritet të hapin dyert edhe 3 shkolla të reja, “Betim Muço” në Kombinat, “Ardian Klosi” në Njësinë 4 dhe Shkolla e Baletit, e cila është drejt rikonstruktimit të plotë.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet e fundit në shkollë dhe siguroi se ajo do të ofrojë kushte bashkëkohore për të gjithë nxënësit.

Ai garantoi se deri në përfundim të mandatit të parë do të jenë ndërtuar 20 shkolla të reja, për t’i dhënë fund për herë të parë mësimit me dy turne në kryeqytet. Veliaj deklaroi se parimi i Bashkisë së Tiranës është që çdo ditë të realizohet një punë konkrete në dobi të komunitetit. “Duke filluar nga muaji shtator do të hapim shkollat ‘Hoxha Tahsin’, ‘Betim Muço’ në Kombinat, ‘Ardian Klosi’ te Bregu i Lumit dhe aktualisht janë hedhur themelet e shkollës ‘Kosova’. Besoj se vetëm kështu ecën përpara Tirana. Sigurisht, Roma nuk u ndërtua në një ditë, as Tirana nuk ndërtohet në një ditë, por parimi është ‘çdo ditë një punë konkrete’. Për sa kohë që vazhdojmë me këtë ritëm, besoj se deri në fund të këtij mandati do të kemi mbaruar me 20 shkollat dhe do të kemi për herë të parë të hequr nga zhargoni i diskutimit publik mësimdhënien me dy turne”, theksoi ai.

Kryebashkiaku u bëri thirrje prindërve të Njësisë Nr.2 që të regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollën e re “Hoxha Tahsin”, e cila do të ketë jo vetëm mjedise më të mira studimi, por njëkohësisht edhe më pak nxënës në klasa, duke rritur cilësinë e mësimdhënies.

Vëmendje i është kushtuar edhe stafit mësimdhënës në këtë shkollë, ku Bashkia e Tiranës në bashkëpunim dhe me Drejtorinë Arsimore Rajonale Tiranë janë duke punuar që disa prej mësuesve më të mirë të kryeqytetit të japin mësim në shkollën e re që do të hapet në shtator.

Ai u shpreh se Bashkia po punon që shkollat, kopshtet dhe çerdhet të jenë gati për të mirëpritur nxënësit dhe të vegjlit në shtator. Gjithashtu, Veliaj garantoi se gjatë verës Bashkia e Tiranës po punon që kopshtet dhe çerdhet të qëndrojnë të hapura duke u ardhur në ndihmë prindërve të cilët janë në marrëdhënie pune. “Çerdhet dhe kopshtet do të jenë të hapura gjatë gjithë muajit gusht. Do të thotë që çdo prind, i cili detyrohet të punojë gjatë muajit gusht, të ketë gjithmonë një mundësi për ta lënë fëmijën në një çerdhe apo në një kopsht të qytetit të Tiranës”, theksoi kryebashkiaku.

Shkolla e vjetër 9 vjeçare “Hoxha Tahsin” po rindërtohet me ambiente të dyfishuara. Shkolla e re do të ketë 4 kate me të gjitha ambientet e domosdoshme mësimore, si laboratorë dhe palestra me standarde. Gjithashtu, shkolla do të ketë edhe një terren sportiv të jashtëm. Në total ajo ka një kapacitet të përgjithshëm rreth 1 mijë nxënës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat