Historia e katër veturave të blinduara, të cilat u sekuestruan në Tiranë

Tirana

Historia e katër veturave të blinduara, të cilat u sekuestruan në Tiranë

Më: 4 tetor 2017 Në ora: 19:30
Veturat e blinduara

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin, për katër automjetet e blinduara, që ishin parkuar në garazhin e një pallati në kompleksin “Kika” në kryeqytet.

Automjetet janë zbuluar javën e kaluar, pas bashkëpunimit mes Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Policisë së Tiranës, të cilat kërkuan dhe ndihmën e shërbimit zjarrfikës për të hapur qepenin e garazhit, ku ishin fshehur automjetet luksoze.

Burimet nga prokuroria e Tiranës, thanë për “Shqiptarja.com” se prej dy ditësh kanë nisur hetimet për këtë rast, ku po verifikohet me imtësi, mënyra se si janë futur në Shqipëri këto automjete dhe personat që i përdornin ato.

Nga të dhënat paraprake thonë burimet pranë prokurorisë së Tiranës, automjeti tip Benz me targa ruse, i përket shtetasit Pajtim Serjani.

Ai njihet si person me precedentë penalë dhe kontigjent policor, dhe dyshohet të jetë lidhje me grupin e Emiljano Shullazit.

Serjani ka pak kohë që ka dalë nga burgu, për shkak të dënimit me 3 vjet heqje lirie për akuzën e gjobëvënies ndaj tregtarit të kafesë, Julian Bregu.

Serjani i ka shpëtuar disa atentateve në Tiranë dhe për shkak të hasmërive që ka, prandaj lëviz me makinë të blinduar.

Ndërkohë për sa i përket tre automjeteve të tjera të blinduara, të tipit “Benz” dhe “Audi”, dy prej të cilave i përkasin shtetasit Ergys Hoxha, dhe sipas prokurorisë së Tiranës dyshohet se janë përdorur nga Emiljano Shullazi dhe anëtarët e grupit të tij.

Hoxha njihet si person që merr në Gjermani makina luksoze dhe të blinduara, kryesisht “Audi” dhe i transporton në Shqipëri.

Këto makina sipas prokurorisë Hoxha i lëshon me qira tek persona kryesisht me precedentë penale dhe që janë të gatshëm të paguajnë shifra të mëdha në euro, vetëm t’i kenë në përdorim.

Nga të dhënat operative, prokuroria e Tiranës dyshon se një nga “Audi”-t është marrë nga grupi i Shullazit kundrejt shumës 30 mijë euro dhe nuk është kthyer tek personi Ergys Hoxha.

Ergys Hoxha u ka dhënë makina të blinduara Elton Çiçosm vrarë në 1 maj tek lokal “De Niro”, Ervin Dalipaj vrarë në autostradën Tiranë-Durrës dhe disa personave të tjerë me precedentë penalë.

Ndërkohë sipas policisë së Tiranës katër automjetet e sekuestruara kapin shifrën e 1 milion euro.

Çuditërisht në momentin e sekuestrimit tre prej automjeteve u ishin hequr targat, ndërsa njëra është e pajisur me targa ruse, dhe dyshohet se i përket shtetasit Pajtim Serjani.

Mësohet se katër automjetet luksoze pak para se të niste operacioni “Vjeshtë 2017”, kanë qenë në qarkullim në rrugët e Tiranës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat