Veliaj promovon tregun e Baldushkut: Blini gjela “firmato” për fundvit - Bota Sot
Veliaj promovon tregun e Baldushkut: Blini gjela “firmato” për fundvit

Tirana

E shtunë, 21 prill 2018

Veliaj promovon tregun e Baldushkut: Blini gjela “firmato” për fundvit

Më: 24 dhjetor 2017 Në ora: 12:54
Tiranë

Në prag të festave të fundvitit, me mbrëmjen e Krishtlindjes që kremtohet sot dhe më pas darka e ndryshimit të viteve, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u ka bërë thirrje qytetarëve të kryeqytetit të blejnë e të konsumojnë gjelat “firmato” të Baldushkut, një zonë e njohur për rritjen e tyre.

Veliaj, pasi u njoh me kushtet e tregtimit të shpendëve, të kthyer në traditë për tavolinat e qytetarëve për festat e fundvitit, për të tretin vit me radhë në Baldushk, theksoi se rritja e gjelit të detit është kthyer në “patentë” identifikuese për zonën, gjë që u jep mundësi qytetarëve të blejnë produkte të certifikuara nga shërbimi veterinar dhe me çmime më të lira.

“E kemi kthyer në traditë për 3 vite me radhë, që gjeli i detit të Baldushkut është i pazëvendësueshëm në tavolinën e çdo qytetari të Tiranës. Ashtu siç ka rroba firmato dhe makina me logo të shtrenjta, gjeli ‘firmato’ i Shqipërisë është gjeli i Baldushkut”, tha Veliaj.

Vetëm vitin e shkuar, në Tiranë u shitën rreth 28 mijë gjela deti, duke gjeneruar rreth 1.4 milionë dollarë. Ndaj, kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të konsumojnë produkte të zonës, sepse kështu kontribuojnë edhe në rritjen e ekonomisë lokale.

“Nuk ka kuptim një tavolinë e festave, nëse nuk ndihmojmë ekonominë lokale. Jo vetëm shija është më e mirë, jo vetëm çmimi është më i lirë, por ndihmojmë ekonominë vendase. Më mirë t’i mbajmë këto parà, sepse kur dikush blen gjel nga Baldushku, nuk ka siguruar vetëm darkën e Vitit të Ri, por ka paguar që një fëmijë të shkojë në shkollë, të vishet, t’i blihen librat, dhe që një familje të jetojë me dinjitet këtu në fshat, pa u dyndur të gjithë në Tiranë”, theksoi ai.

Kreu i Bashkisë së Tiranës tha se tregu i ngritur në Baldushk është i certifikuar dhe funksionon me standardet e higjienës, duke u kthyer në furnizuesin kryesor të gjelit të detit për familjet e Tiranës në darkën e Krishtlindjeve dhe Vitit te Ri.

“I ftoj të gjithë qytetarët të mos blejnë në rrugë, janë mall që blihet në pulari dhe shitet sikur është mall fshati. Tregu i vërtetë, origjinal, i certifikuar nga veterinarët tanë, me fermerin që e ka rritur vet, është këtu në Baldushk. Të gjithë në Tiranë t’i ofrojnë familjes së tyre shëndet, mall cilësor, një festë të gëzuar, por mbi të gjitha të ndihen mirë shpirtërisht, se me ato parà kanë ndihmuar ekonominë vendase”, tha Veliaj.

Ndërkohë, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit po vijon punën për garantimin e sigurisë ushqimore, si dhe për monitorimin e çmimeve, teksa qytetarët mund të denoncojnë në numrin e gjelbër për çdo problematikë që konstatojnë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test