Këshilltarja e LSI që votoi pro buxhetit sulmon Kryemadhin: Ti s’më inspiron dot, unë nuk jam ‘ajo goca’

Tirana

Këshilltarja e LSI që votoi pro buxhetit sulmon Kryemadhin: Ti s’më inspiron dot, unë nuk jam ‘ajo goca’

Më: 26 dhjetor 2017 Në ora: 11:50
Bora Panajoti

Në një status në faqen e saj në Facebook ajo shprehet se e votoi buxhetin pasi përmbush premtimet që ka dhënë në fushatë për zonat përqark Tiranës.

Panajoti i përgjigjet edhe Kryemadhit, për të cilën thotë se nuk e inspiron si lidere e LSI-së.

Statusi i Bora Panajotit

Pse votova Pro buxhetit të Tiranës?

Së pari, votova buxhetin sepse detyra ime si këshilltare ishte që me datë 21 Dhjetor, në mbledhjen më të rëndësishme të vitit, të isha në sallën e këshillit bashkiak dhe jo në protestë për të mbështetur deputetët. Mbrëmjen e datës 20 u njoftova me mesazh që grupi i këshilltarëve kishte vendosur të mos shkonin në mbledhje me motivacionin që nuk kishin pasur kohë të bënin dëgjesat publike e të lexonin materialet e buxhetit për shkak të situatës politike. Kjo është papërgjegjshmëri duke qënë se materialet na kishin ardhur brenda afateve dhe sepse detyra parësore e secilit prej këshilltarëve është të jenë zëri dhe dora e qytetarëve në këshill. Për këtë na kanë votuar, kjo është detyra jonë.

Së dyti, unë në Këshillin Bashkiak hyra me votat e zonave rurale “ish komunave”. Buxheti që unë votova është një buxhet ku i jepet përparësi zhvillimit të këtyre zonave. Për 1 vit rrjesht, në cdo fjalë që kam mbajtur, kam kërkuar me ngulm të bëhej rruga e Krrabës e ura e Qehasë në Petrelë. U bënë! Si mundem unë të dal para atyre që më votuan dhe t’i them që unë bojkotova buxhetin e tyre, që bojkotova rikonstruksionin e rrugës Agallarët në Farkë, shkollën e re që do bëhet në fshatin Mihajas, rikonstruksionin e shkollës së Bërzhitës? Nuk munda dot. Edhe 100 herë të vihem para një vendimarrje të tillë, të 100 herët do zgjedh qytetarët dhe jo lojrat politike.

Së fundmi, dua t’i drejtohem ish kryetares sime, znj. Kryemadhi për t’i kujtuar që unë nuk jam “ajo goca”, unë jam Bora që ti, deri dje, u thoje qytetarëve nëpër takime që isha studentja e shkëlqyer dhe që dëshiroje që edhe Bora vajza jote, të bëhej si unë.

Dua të të jap një këshillë që e ka shprehur aq bukur populli “Mos i mat të tjerët me metrin tënd”. Mua nuk me intimidon dot me deklaratat e tua për një arsye të vetme sepse unë hyra në rrugën e politikës për t’i shërbyer sadopak vendit tim. Mua nuk më blen dot askush as me lekë e as me karrige se kam që nga mosha 17 vjeç që nuk e kam lënë për asnjë ditë punën e njëkohësisht shkollën me rezultate të larta. Karrierën time e shoh në profesionin tim, ajo është pika ime e fortë. Por e kam edhe unë një të metë. E meta ime është se nuk eci dot në rrugën e një lideri që nuk më inspiron e nuk është një shembull i mirë për mua.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat