Tirana, pak orë para ndërrimit të vitit - Bota Sot
Tirana, pak orë para ndërrimit të vitit

Tirana

E diel, 23 shtator 2018

Tirana, pak orë para ndërrimit të vitit

Më: 31 dhjetor 2017 Në ora: 09:41
Tirana

Qytetarët e Tiranës kanë vazhduar në ditën e fundit të vitit ecejaket e tyre të pafund për të mbyllur blerjet dhe detyrimet që kërkon festa e fundvitit, që pritet me padurim nga të gjithë, por veçanërisht nga fëmijët.

Rrugët e metropolit shqiptar që në orët e para të ditës, kanë qenë më të populluara se kurrë, ndërkohë që më fatlumët kanë qenë tregtarët, të cilët nuk kanë reshtur së shituri mallra të ndryshme.

Qytetarët kanë vazhduar të blejnë ushqimet e fundit, ndërkohë që nuk kanë munguar edhe blerjet për dhuratat e shumta në dyqanet dhe qendrat tregtare të kryeqytetit.

Baret dhe restorantet kanë qenë gjithsesi të mbushura me njerëz. Forcat e policisë janë në gatishmëri, ndërkohë që sipas deklaratave të krerëve të policisë së Tiranës, të gjithë efektivat do të vazhdojnë të jenë në gatishmëri përgjatë të gjithë natës së madhe.

Sheshi Skënderbej dhe fshati i festave

Atmosfera festive e Vitit të Ri, më shumë se kudo është ndjerë sot në Sheshin “Skënderbej”, sheshi kryesor i kryeqytetit, aty ku shumëllojshmëria e lodrave ka mbledhur të gjitha moshat të argëtohen në ditën e vigjiljes së Vitit të Ri.

Pema gjigante, dritat shumëngjyrëshe, muzika non stop, gjallëria, lëvizjet marramendëse dhe joshja gjigante e këtij ‘fshati festash’, kanë qenë shoqëruesit e qindra qytetarëve gjatë gjithë muajit dhjetor.

Ndërkohë atmosfera e festave, që ka përfshirë rrugët e Tiranës, i ka ‘rezervuar’ fëmijëve dhurata nga më të ndryshmet, ku për djemtë më të preferuarat kanë qenë makinat, helikopterët, topat e futbollit, etj, ndërsa vajzat e vogla gjithnjë e më shumë duan të shtojnë koleksionet e kukullave.

Restorantet, klubet ose pub-et po përgatiten të jenë pjesë e argëtimit për mijëra qytetarë që do të presin ndërrimin e viteve nën shoqërinë e të afërmve dhe tingujve të muzikës.

Qendrat estetike dhe sallonet e bukurisë kanë qenë edhe në këtë ditë të fundit të vitit plot e më plot, për të krijuar një look-u të veçantë , i cili sigurisht që ka kërkuar edhe veshjet më të bukura.

Ngjyrat e veshjeve më të preferuara janë nga e kuqja, argjendi, e arta, por edhe e zeza.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test