Kamerat e sigurisë, 1 800 subjekte rrezikojnë gjobë

Tirana

Kamerat e sigurisë, 1 800 subjekte rrezikojnë gjobë

Më: 2 janar 2018 Në ora: 11:22
Ilustrim

Policia e Tiranës do të ndërmarrë një sërë kontrollesh intensive në kryeqytet lidhur me zbatimin e ligjit për kamerat e sigurisë, një ligj i cili synon të rrisë sigurinë në zonat me densitet të lartë publik, tek sipërmarrjet dhe tek zonat me risk më të lartë kriminaliteti

1 800 sipërmarrje janë njoftuar se duhet të vendosin kamera sigurie brenda një afati 60-ditor. Tashmë ky afat ka përfunduar dhe me nisjen e vitit të ri do të nisin dhe kontrollet e Policisë së Tiranës për të parë sa është zbatueshmëria e ligjit. Në rast se nuk gjenden të vendosura kamerat atëherë bizneset rrezikojnë deri në 1 milionë lekë gjobë, dhe nëse përsëritet deri në 3 milionë lekë gjobë.

Policia e Tiranës rreth dy muaj më parë ka ndërtuar një panoramë të plotë të sipërmarrjeve dhe zonave ku duhen vendosur kamera sigurie. Janë vlerësuar 1 800 biznese të cilët janë lajmëruar me shkresë nga Policia se duhet të vendosin kamera sigurie në ambientet e tyre. Më 28 dhjetor afati i lënë nga Policia e Tiranës ka përfunduar. Policia ka ngritur një grup pune për të kontrolluar zbatueshmërinë e urdhëresës në 1 800 bizneset në fjalë.

Bizneset që preken nga ligji janë bankat e nivelit të dytë, karburantet, bizneset me xhiro vjetore mbi 10 milionë lekë. Po ashtu në këtë listë janë bizneset me mbi 50 punonjës, kopshte, shkolla, sheshe publike, të cilat duhen pajisur me kamera nga njësia administrative përkatëse. Po ashtu, edhe urbanet, në të cilat shpesh herë ndodhin raste të vjedhjeve, apo dhe konflikteve banale, që përfundojnë edhe me të lënduar. Bizneset të cilat do të gjenden brenda standardeve ligjore do të pajisen me certifikatë sigurie, e cila do t’i japi mundësi policisë të ketë më të thjeshtë punën e saj monitoruese.

Ligji në fjalë synon rritjen e sigurisë dhe gjithashtu një monitorim më të madh nga ana e Policisë të zonave problematike. Në ligj është parashikuar dhe formati dhe cilësia me të cilat duhen vendosur kamerat e sigurisë. Ligji u hartua në bashkëpunim me shoqërinë civile me kërkesë të Ministrisë së Brendshme. Ligji i miratuar nga Kuvendi në vitin 2016 është pasuruar dhe me dy udhëzime

Udhëzimi i parë që është botuar në Fletoren Zyrtare është ai për ngritjen e Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave, në Drejtorinë e Policisë së Shtetit.

Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave ka në kompetencë shqyrtimin e ankimeve të paraqitura nga subjektet publike dhe private, për gjobat që vendosen nga Policia e Shtetit, ndaj këtyre subjekteve, për moszbatimin e masave shtesë të sigurisë, sipas llojit të masës, në varësi të aktivitetit që kryejnë dhe vlerësimit të rrezikut si dhe për heqjen e “Vërtetimit të sigurisë”. Referuar udhëzimit, ankimet e subjekteve publike dhe private administrohen nga specialisti në sektorin ndaj të tretëve. Kundër vendimit të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave bëhet ankim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë.

Udhëzimi i dytë parashikon rregullat për kryerjen e inspektimeve nga policia për monitorimin e përmbushjes së masave shtesë të sigurisë publike. Në bazë të këtyre dy udhëzimeve Policia e Shtetit, nëpërmjet strukturave të saj, do të kryejë inspektime në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, për monitorimin e përmbushjes së masave shtesë të sigurisë, nga subjektet publike dhe private, në varësi të llojit dhe nivelit të masës së sigurisë, të përcaktuar nga komisioni i vlerësimit të masave të sigurisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat