Si vjedh Bashkia e Tiranës me gjobat e parkimeve

Tirana

Si vjedh Bashkia e Tiranës me gjobat e parkimeve

Më: 17 janar 2018 Në ora: 14:58
Ilustrim

Bashkia e Tiranës bëri një revolucion duke larguar nga rruga “rojet private” që thoshin ose me jep 1 mijë lekë ose të gërvishta makinën. Ajo aplikoi një sistem modern që e gjen në pjesën dërrmuese të qyteteve të mëdha perendimore. Qytetari parkon, dhe nga celulari i tij dërgon në numrin 50500 një sms, ku i shkarkohen 100 lekë të reja për çdo orë parkim në qendër të kryeqytetit. Me mire, më shpejt dhe më pa komplikime nuk bëhet. Përpos çmimit të kripur që ka ngjallur reagime, nuk ka arsye për të mos qenë i kënaqur.

Por, prej disa kohësh sistemi ka problem. Sot Lapsi.al ka provën (shiko faksimilen) se t’i mund të marrësh 2 mijë lekë të reja gjobë, pavarësisht se ke tentuar ta paguash tarifën dhe sistemi i bashkisë nuk ka funksionuar. Pas disa ankesave ne e testuam vetë sistemin të hënën ne drekë mes orëve 13:40 deri në 15:22 duke lënë një makinën tonën në rrugën ‘Themistokli Gërmjenji’, pranë zyrave. Tentuam disa herë të bëjmë pagesën, por pa sukses. Por megjithatë, pra megjithëse faji qe i bashkisë që nuk i funksiononte sistemi dhe megjithëse aty nuk gjendej asnjë punonjës i saj për të mbledhur tarifën manualisht, gjoba procedonte njësoj. Po të shohësh faksimilen tentativa e fundit për pagesë është bërë në ora 15:22 ndërsa siç shikohet nga fleta e gjobës ajo është vënë në ora 15:33.

Me provën e SMS- ve në dorë, (për të kontrolluar që faji nuk ishte as i aparatit tonë celular dhe as i kompanisë telefonike, në të njëjtën kohë dërguam me sukses sms në drejtime të tjera), iu drejtuam policëve bashkiakë që vendosnin gjoba në këtë rrugë. Përgjigjja ishte: “ka shumë ankesa, ndodh shpesh”.

Kur insistuam se si mund të zgjidhet, rruga e ofruar ishte: “duhet të shkosh tek Policia Bashkiake me provat dhe sms në dorë, aty del para një komisioni dhe ata shqyrtojnë rastin. Por nuk ia vlen për 20 mijë lekë të vjetra”.

Kjo pra është historia. Bashkia e Tiranës në fakt ka modernizuar vetëm sistemin e vjeljes së parave. Ndërsa kur bëhet fjalë për t’i kthyer qytetarëve paratë që janë vjedhur padrejtësisht vazhdon i njëjti sistem burokratik i sorrollatjes dhe nxirrjes së jetës. Pra, shkurt vihet në punë i njëjti sistem i vjetër grabitës dhe zhvatës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat