Universiteti Bujqësor i Tiranës i bashkohet nismës për mbjelljen e pemëve

Tirana

Universiteti Bujqësor i Tiranës i bashkohet nismës për mbjelljen e pemëve

Më: 15 prill 2018 Në ora: 14:00
Mbjellja e pemëve

Pas prishjes së ndërtimeve pa leje, Bashkia e Tiranës ka nisur një sërë investimesh infrastrukturore në universitetin bujqësor të Tiranës, duke krijuar kushte më të mira për studentët. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet që po kryen në territorin e universitetit, ndërsa bashkë me stafin pedagogjik mori pjesë në mbjelljen e 150 pemëve të reja. Për kryebashkiakun Veliaj ndërhyrjet bëhen për ti dhënë universitetit pamjen që iu duhet një institucioni arsimor.

Veliaj: Universitetet tona kanë fuqi ligjore, kur vjen puna tek pavarësia akademike, ama duhet të kenë edhe pavarësi financiare, ndaj bashkë me kryeministrin jemi duke bërë investime që po e konturojnë dhe modernizojnë këto hapësirave. Qeveria ka dhënë një fond për të bërë rrethimin dhe sistemimin, për të treguar se ky vend ka zot, sepse e quajmë realisht një tempull të dijes dhe jo një vend që mund të zaptohet apo ku mund të kullosë bagëtia. Kurse, Bashkia e Tiranës po bën ndërhyrje të brendshme.

Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se investimet në këtë hapësirë universitare kanë prekur kryesisht rrugët, trotuaret, pjesët rekreative, si dhe të gjithë infrastrukturën nëntokësore.

Veliaj: Më vjen mirë që kemi bërë disa ndërhyrje shumë të nevojshme, kur vjen puna tek infrastruktura, rrugët lidhëse, dhe jam shumë i lumtur që dëgjoj nga përfaqësues të Universitetit që edhe këtu është dëshira, që në një farë mënyre të imitohet Tirana. Pra, hapësirat qendrore të jenë në funksion të njerëzve, jo në funksion të makinave, një pedonalizim, kthim në park, ku çdokush të ketë kënaqësi që vjen në shkollë, që jep mësim, kënaqësi që del shëtitje me familjen.

Në Universitetin Bujqësor të Tiranës po ndërtohen 800 metra rrugë dhe trotuare, si dhe 280 metra pedonale. Gjithashtu, po kryhet investim në kanalizimin e ujërave të zeza, ndërsa shumë shpejt do të nisë edhe ndërtimi i rrethimit të kampusit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat