Zbulohet kush është fabrika që shpërtheu në flakë, drejtori i zjarrfikësve: Fabrika u dogj edhe vjet!

Tirana

Zbulohet kush është fabrika që shpërtheu në flakë, drejtori i zjarrfikësve: Fabrika u dogj edhe vjet!

Më: 22 prill 2018 Në ora: 11:35
Pamje nga vendi i ngjarjes

Një fabrikë riciklimi mbetjesh në Kashar është përfshirë nga flakët paraditen e sotme. Sipas policisë së Tiranës, zjarri i përmasave të mëdha ka rënë në magazinën e fabrikës “Everest” rreth orës 10:00, ndërsa janë dëgjuar edhe disa shpërthime të vogla.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar policia dhe zjarrfikësja ku po punohet për fikjen e zjarrit. Aktualisht janë tre makina zjarrfikëse janë në vendin e ngjarjes, ndërsa pritet që të vijnë edhe nga Durrësi në ndihmë. E ndërsa edhe godina e dytë e fabrikës së riciklimit është përfshirë nga flakët, dy biznese të tjera rrezikojnë që të përfshihen nga flakët.

Nga zjarri nuk ka të lënduar në njerëz, por vetëm dëme të shumta materiale, pasi magazina është e shkrumbuar plotësisht. Shtëllungat e tymit janë aq të mëdha sa janë përhapur në të gjithë kryeqytetin.

Në të gjithë zonën është bllokuar qarkullimi dhe është stakuar energjia elektrike. Ende nuk ka një informacion të saktë se kush kanë qenë shkaqet e zjarrit, ndërsa pas shuarjes së flakëve pritet që të nisin hetimet.

Drejtori i Zjarrfikësve: S’funksionoi alarmi, fabrika u dogj edhe vjet, u gjobit

Drejtori i Zjarrfikësve në Tiranë Shkëlqim Goxhaj nga vendi i ngjarjes deklaroi se kjo kompani riciklimi në Kashar është përfshirë nga flakët edhe vjet, ndërsa pak javë më parë është penalizuar për mos marrjen e masave në rast zjarri, ndërkohë që edhe para pak ditësh kishte pasur një rast të tillë. Ai tha se sistemi i alarmit të zjarrit nuk ka funksionuar.

“Nuk bëjmë dot gjë tani, vetëm të izolojmë zjarrin. Në momentin që sigurojmë që zjarri nuk kalon në magazinën tjetër, do të shuajmë shumë shpejt këtë. Biznesi nuk ka reaguar sistemi i zjarrit. Është hera e dytë që digjet, është penalizuar që nuk ka marrë masat për zjarrin, pavarësisht se ishte djegur më parë. Kompania nuk kishte marrë masat për reagimin. Kryesore është që të mos dëmtohen qytetarët, më vonë do të flasim për gjërat e tjera”, tha Goxhaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat