Asnjë nga shoferët e transportit për nxënësit, të cilët u testuan për alkool këtë të mërkurë, nuk rezultoi i dehur. Gjithësesi, Rrugorët e Tiranës kanë gjobitur 15 drejtues mjetesh, të cilët nuk përdornin sistemet e fiksimit dhe të rripave të sigurisë.
Transporti i specializuar i nxënësve ishte fokusi i kontrolleve të përqendruara nga efektivët e Policisë Rrugore në Tiranë.
Nga verifikimet dhe kontrollet e ushtruara nga Policia Rrugore e Tiranës janë konstatuar dhe proceduar administrativisht 15 drejtues mjetesh të transportit të specializuar për transport nxënësish, të cilët nuk kanë përdorur sistemet e fiksimit dhe rripave të sigurisë.
Nga ana tjetër, 10 shoferë u gjobitën për mospërdorim të kaskës mbrojtëse. Rrugorët këshilluan shoferët dhe kërkonin dokumentacionin përkatës.
Ndërkaq, u gjobitën 23 shoferë të tjerë për parkim të gabuar dhe janë testuar për alkool 65 drejtues mjetesh të transportit të specializuar, të cilët kanë rezultuar negativ.