Gjykata e Tiranës nuk “merr vesh” nga teknologjia, shtyhet gjyqi për grabitësit e bankës

Tirana

Gjykata e Tiranës nuk “merr vesh” nga teknologjia, shtyhet gjyqi për grabitësit e bankës

Më: 2 maj 2018 Në ora: 17:41
Ilustrim

Ka dështuar seanca e sotme gjyqësore në ngarkim të dy personave të akuzuar për vjedhjen e 20 milionë lekëve në një banke në zonën e ish-Bllokut.

Shkak u bë pamundësia e Gjykatës së Tiranës për të kopjuar disa DVD të paraqitura si provë nga ana e prokurorisë.

Kopjimi i një DVD-je mund të jetë një veprim shumë i thjeshtë dhe lehtësisht i realizueshëm nga gjithkush në Shqipërinë e kompjuterizuar të vitit 2018, por të njëjtën gjë nuk mund ta themi për Gjykatën e Tiranës.

Pamundësia teknike e Gjykatës Penale të kryeqytetit për të dubluar një DVD të paraqitur si provë nga Prokuroria u bë shkak për dështimin e një seance. Procesi i përkiste të pandehurve Roland Liti dhe Alan Babameto, të akuzuar për vjedhjen e një banke të nivelit të dytë në zonën e ish-bllokut në kryeqytet.

Të mërkurën, prokurori i çështjes, Julian Zonja, vuri në dispozicion të gjykatës dy aparatet telefonike të të pandehurve bashkë me DVD-të ku ishte hedhur përmbajtja e nxjerrë pas këqyrjes së telefonave, komunikimet e bëra me SMS, komunikimet në aplikacione, fotografitë, apo vendndodhjet e herë pas hershme.

Kjo provë shoqëronte akt-ekspertimet teknike, të cilit i ishin nënshtruar aparatet telefonike, të paraqitura me herët në proces.  Një kopje e DVD-ve u kërkua edhe avokatët, por këtu sharra ngeci në gozhdë.

Kryesuesi i kërkoi përfaqësuesit të akuzës të realizojë kopjimin, me qëllim vendosjen e tyre edhe në dispozicion të avokatëve. Prokurori kërkoi që veprimi të kryhej nga gjykata, por trupi gjykues bëri me dije se institucioni e kishte të pamundur ta realizonte këtë proces.

Për t’i dhënë kohë prokurorisë, gjykata ndërpreu gjyqin dhe caktoi seancën e radhës në 9 Maj. Ngjarja për të cilën akuzohen Liti dhe Babameto është shënuar në 8 Gushtin e vitit 2016. Ata dyshohet të jenë autorët e vjedhjes së gati 20 milionë lekëve, pasi depërtuan në bankë përmes një tuneli në murin anësor të dhomës kasafortës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat