Veliaj: Solidaritetin e muajit të Ramazanit, ta shprehim çdo ditë të vitit

Tirana

Veliaj: Solidaritetin e muajit të Ramazanit, ta shprehim çdo ditë të vitit

Më: 6 qershor 2018 Në ora: 13:06
Erion Veliaj

Familjet dhe njerëzit në nevojë mund ta kalojnë muajin e Ramazanit në qendrat sociale të kryeqytetit. Bashkia e Tiranës është kujdesur që në muajin e sakrificës dhe solidaritetit, askujt të mos i mungojë një vakt i ngrohtë, teksa çdo mbrëmje shtron iftar për njerëzit e pamundur.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deputetja e PS, Blerina Gjylameti dhe dy nga këngëtaret më të dashura të muzikës shqiptare, Irma Libohova dhe Era Rusi, mbrëmjen e djeshme i shërbyen darkën e iftarit njerëzve në nevojë në mensën sociale në Kombinat.

Pasi u uroi besimtarëve agjërim të lehtë, kryebashkiaku Veliaj tha se muaji i shenjtë i Ramazanit është jo vetëm një muaj i sakrificës, por edhe i solidaritetit me më të dobëtit. “Muaji i Ramazanit është pak më i veçantë sepse është një muaj ku i shërbehet Zotit përmes një sakrifice. Kur njeriu agjëron, nuk po refuzon vetëm ushqim për stomakun, por edhe çdo tundim, çdo të keqe, çdo mendim negativ, xhelozi, smirë, dhe unë besoj se kjo është mënyra për të na kujtuar çdo vit se sa e rëndësishme është të bëjmë një jetë dinjitoze, që solidaritetin që shprehim gjatë muajit të Ramazanit, ta kemi çdo ditë të vitit”, tha ai.

Veliaj theksoi se nëse çdo njeri i shërben njerëzve ashtu siç i shërben Zotit, do të kemi një shoqëri më të mirë. Ai shtoi se Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me donatorë të ndryshëm, në këtë muaj të Ramazanit, përveç iftarit të shtruar çdo mbrëmje në 6 mensat e sociale të hapura në tre vite, ka shpërndarë edhe ndihma ushqimore për të gjitha familjet në nevojë. “Shumë besimtarë na janë bashkuar ose duke punuar në mensa sociale ose duke shërbyer vakte aty ku ka pasur nevojë, ose duke qenë pranë nevojtarëve. Ne kemi shpërndarë ndihma ushqimore në mbi 3500 familje, që askujt të mos i mungojnë ushqimet bazë gjatë muajit të Ramazanit. Thirrja ime është për këdo që ka mundësi të ofrojë dhe shërbejë”, shtoi Veliaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat