E denoncoi burrin për dhunë, pastaj 40-vjeçarja i bëhet makth. Dëshmia befasuese në gjyq: Unë doja…

Tirana

E denoncoi burrin për dhunë, pastaj 40-vjeçarja i bëhet makth. Dëshmia befasuese në gjyq: Unë doja…

Më: 25 qershor 2018 Në ora: 16:16
Gjykata e Tiranës

Rastet e përndjekjes së femrave janë të panumërta dhe çdo muaj Gjykata e Tiranës shqyrton me dhjetëra të tilla. Mirëpo, të rralla janë rastet kur femrat përndjekin meshkujt. I tillë është edhe rasti i një 51-vjeçari nga Tirana, i cili përndiqej përmes telefonit nga ish-bashkëjetuesja e tij 40-vjeçare.

Historia e mosmarrëveshjeve mes çiftit ka nisur disa kohë më parë, kur 40-vjeçarja D.M. e ka kallëzuar ish-bashkëjetuesin e saj për “dhunë në familje”. Që nga ajo kohë, ata i kishin ndërprerë marrëdhëniet me njëri-njëri tjetrin. Mirëpo, bashkëjetesa prej gjashtë muajsh e të dyve do të pasohej nga një periudhë ferri për 51-vjeçarin A.S.

Përveç kallëzimit për dhunë në familje nga ish-bashkëshortja, A.S. i duhej të përballonte edhe shqetësimet që i vinin përmes telefonit celular. Kështu, më datë 24.03.2017, A.S. ka kallëzuar në Polici se shqetësohej nga ish-bashkëjetuesja e tij.

Në kallëzimin e tij ai ka deklaruar se ka bashkëjetuar për rreth gjashtë muaj me shtetasen D. M. dhe tani nuk bashkëjetojnë më për shkak të një denoncimi që kjo e fundit ka bërë ndaj tij për dhunë në familje. Kallëzuesi ka pretenduar se shtetasja D. M. e shqetëson vazhdimisht në telefon me thirrje dhe mesazhe të shumta.

Nga ana e oficerëve të Policisë Gjyqësore është bërë këqyrja e telefonit celular të kallëzuesit A.S., si dhe i është kërkuar informacion kompanisë celulare për thirrjet në numrin e këtij shtetasi për periudhën janar-mars 2017. Nga analiza e tabulateve ka rezultuar se D.M. ka kryer 38 thirrje telefonike ndaj shtetasit A.S.

Kështu, sipas Prokurorisë, më datë 18.03.2017, nga ora 13:41 deri në orën 19:47, D.M. e ka telefonuar 7 herë kallëzuesin, po kështu, më datë 19:03.2017, nga ora 07:00 deri në orën 12:00, D.M. ka kryer 8 thirrje telefonike në drejtim të kallëzuesit. E njëjta histori ka vazhduar edhe në datat 20, 22, 23 dhe 26, ku ka pasur mbi 20 thirrje nga shtetasja D.M. ndaj kallëzuesit. I ndodhur në këto kushte, shtetasi A.S. ka pretenduar në Gjykatë se ka marrë edhe kërcënime nga ish-bashkëjetuesja e tij.

Ai ka thënë se po i shkatërrohet jeta dhe se kërkon zgjidhje të kësaj situate. Gjykata ka vendosur që të lëshojë urdhërmbrojtje ndaj shtetasit A.S. dhe ka urdhëruar që D.M. të mos i telefonojë më. Por edhe pas kësaj, D.M. nuk është ndalur, por ka vijuar ta telefonojë ish-bashkëjetuesin e saj, duke e shqetësuar dhe thyer urdhrin e mbrojtjes.

Ish-bashkëjetuesja justifikohet në gjyq

Në vijim të hetimeve është pyetur në cilësinë e personit nën hetim shtetasja D.M., e cila nuk e ka mohuar faktin e thirrjeve dhe mesazheve që i ka dërguar shtetasit A.S., por ka deklaruar se nuk ka pasur qëllim ta shqetësojë atë, por ka dashur të rregullojnë marrëdhëniet midis tyre.

Ajo ka thënë para Prokurorisë, se ka dashur që t’i lërë pas problemet që ka pasur gjatë bashkëjetesës me A.S. dhe të bëheshin miq. Mirëpo, këtë gjë nuk e ka konfirmuar kallëzuesi në dëshminë e tij, i cili ka thënë se është kërcënuar disa herë nga D.M. përmes telefonit. Ai ka kërkuar urdhërmbrojtje dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin datë 25.05.2017, ka vendosur pranimin e kërkesëpadisë dhe lëshimin e urdhrit të mbrojtjes.

Në këtë vendim është urdhëruar që shtetasja D.M. të mos e telefonojë më shtetasin A.S. Ky vendim ka hyrë në fuqi më datë 25.05.2017 dhe ka qenë i vlefshëm deri me datë 25.11.2017. Nga këqyrja e telefonit të tij celular ka rezultuar se shtetasja D.M. ka vepruar në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke i telefonuar dhe dërguar mesazhe shtetasit A.S., konkretisht në datat 27.05.2017, 12.06.2017 dhe 31.07.2017.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat