Sekuestrohen llogari bankare prej 1.5 mln eurosh

Tirana

Sekuestrohen llogari bankare prej 1.5 mln eurosh

Më: 4 korrik 2018 Në ora: 12:28
Foto ilustrim

Plot 1.5 milionë euro llogari bankare janë sekuestruar nga specialistët e hetimit të pastrimit të parave dhe aseteve kriminale në Policinë e Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë e kryeqytetit.

Aksioni vjen në kuadër të procedimit penal të regjistruar ndaj një shoqërie me objekt veprimtarie në fushën e tregtisë ndërkombëtare, për veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, bazuar mbi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të kryeqytetit të datës 30 qershor.

Shoqëria e krijuar në vendin tonë nga një shtetas italian, S.L., i cili ka precedentë të mëparshëm penalë në Itali për deklarata mashtruese dhe krime në fushën e tatimeve, ka përfituar në një periudhë të shkurtër kohore sasi të konsiderueshme në euro nga shoqëri të huaja, një pjesë të të cilave i ka transferuar në vende të ndryshme si Hong Kong, Kinë apo Itali.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Tiranës po punon për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat