Veliaj jep sinjalin për Teatrin: Tirana nuk ka më kohë për të humbur!

Tirana

Veliaj jep sinjalin për Teatrin: Tirana nuk ka më kohë për të humbur!

Më: 16 korrik 2018 Në ora: 15:38
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka vizituar këtë të hënë projektin e nisur në unazën e kryeqytetit për shtimin e korsive të biçikletave, nga ku ka dhënë sinjalin se shumë shpejt do t’i vijë rradha dhe Teatrit Kombëtar.

Veliaj ka marrë shembujt e Liqenit Artificial, Pazarit si dhe sheshit Skëndërbej, duke thënë se qytetarët kanë dashur diçka të re dhe ashtu është bërë.  Veliaj ka shtuar se me fillimin e punëve ka patur përherë kundërshtime, por që në fund të ditës, projektet e reja janë vlerësuar.

Kryebashkiaku ka paralajmëruar se ai është i mendimin se Tirana nuk ka kohë për të humbur me kundërshtimet, ndaj puna për Teatrin Kombëtar dhe Piramidën do të fillojë se shpejti, një sinjal që nënkupton se të majtët kanë ndërmend të bëjnë atë që hodhën në ligj disa ditë më parë, kur kaluan draftin për Teatrin në kuvend.

“E patëm një alternativë që s’prekte gjë me dorë dhe flinte gjumë. E kishim katër vjet dhe e dimë si përfundoi. Jam shumë i bindur se Tirana do të vazhdojë ritmin e modernizimit. Siç kishim debat për Parkun e Liqenit, ja ku është sot; siç kishim debat për Pazarin e Ri, ja ku është sot; siç kishim debat për sheshin “Skënderbej”, ja çmimet që po merr sot; siç kishim debat për Bulevardin e Ri, ja aksi i hapur për Tiranën e 50 viteve në vazhdim. Ashtu do të kemi edhe një Teatër të ri, do të kemi një Piramidë të re.

E di që do kemi gjithmonë debate për punët e mëdha në Tiranë. Mbaj mend, përpara 3 vitesh kur sapo morëm mandatin për të qeverisur dhe për ta ndryshuar Tiranën, për ta kthyer në punë, një nga ankesat ishte: S’kemi shesh, s’kemi Pazar, s’kemi teatër, s’kemi bulevard. Tani që fillojmë t’i bëjmë këto punë, del një tjetër lloj lëvizje e cila thotë: Mos ma prek liqenin, mos ma prek parkun, mos ma prek bulevardin, mos ma prek sheshin, mos ma prek pazarin, mos ma prek teatrin.

 Fakti se edhe në vendin tonë me ekonomi modeste, arrijmë ta ngrejmë reputacionin e qytetit, do të thotë se gjërat i kemi vetë në dorë; kur bashkëpunojmë ecim përpara, kur pengojmë njëri-tjetrin, sigurisht që humbasim kohë të çmuar. Unë jam i bindur se Tirana nuk ka më kohë për të humbur, ndaj do të vazhdoj me modernizimin e qytetit”, u shpreh kryebashkiaku.

Kujtojmë se prej disa javësh tashmë artistë, qytetarë e pjesëtarë të shoqërisë civile protesojnë kundër shembjes së Teatrit Kombëtar. Këta të fundit e quajnë një vlerë të madhe për qytetin objektin e Teatrit dhe kërkojnë që ai të mos hidhet në tokë për t’i lënë vendin një godine të re dhe prapa tij një sërë kullash. Pavarësisht disa negociatave dhe mbledhjeve, një pakt mes artistëve dhe qeverisë nuk u arrit dhe palët qëndrojnë të palëkundura në pozicionet e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat