Përfundojnë punimet në Rr. “Danish Jukniu”, Veliaj: Nga ferrishte e kthyem në lagje model

Tirana

Përfundojnë punimet në Rr. “Danish Jukniu”, Veliaj: Nga ferrishte e kthyem në lagje model

Më: 26 gusht 2018 Në ora: 15:46
Kryebashkiaku falenderoi qytetarët për bashkëpunimin e treguar,

Tre vjet më parë, Rr. “Danish Jukniu” në Njësinë 2 ishte një ferrishte dhe pa infrastrukturë urbane. Kryebashkiaku Erion Veliaj, asokohe në fushatë, u premtoi banorëve se kjo rrugë do të shndërrohej në një nga rrugët model të Tiranës.

“Mbaj mend kur kemi qenë këtu me banorët dhe ka qenë një ferrishte e jashtëzakonshme; një e tatëpjetë e mbushur me dhè, me inerte, ku njerëzit e ardhur nga çdo cep i Shqipërisë kanë munduar të krijojnë jetën e tyre, ama pa infrastrukturë. Ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e banorëve dhe më vjen mirë që e mbajtëm këtë premtim. Një rrugë, e cila është për t’u pasur zili edhe nga zonat në qendër të Tiranës sepse ndriçim LED nuk kemi as në qendër të Tiranës”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku falenderoi qytetarët për bashkëpunimin e treguar, duke ndihmuar bashkinë që ta zbatojë projektin me të gjitha parametrat.

“Jam shumë i lumtur që sot jeta e këtyre banorëve është bërë pak më e mirë, më e lehtë, më e këndshme. Banorët kanë qenë shembullorë, i falenderoj me gjithë zemër; secili ka pranuar të tërheqë pak murin, për të liruar pak trotuar, që krijon një brez të sigurt për fëmijët, për këmbësorët, për familjarët. Do të doja ta mirëmbanim këtë investim”, tha ai.

Kryebashkaku Veliaj tha se viti i katërt i mandatit në krye të Bashkisë së Tiranës do t’i kushtohet kryesisht periferive të Tiranës, në mënyrë që zonat tërësisht informale të urbanizohen dhe banorët të ndjejnë se janë qytetarë të Tiranës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat