Akuza: Veliaj lë pa ujë Tiranën, por blen makina elektrike

Tirana

Akuza: Veliaj lë pa ujë Tiranën, por blen makina elektrike

Më: 1 shtator 2018 Në ora: 11:23
Albana Vokshi

Partia Demokratike ka akuzuar kreun e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj se ka lënë qytetarët e Tiranës pa ujë.

Në një deklaratë për mediat, kryetarja e Komisionit të Medias në Kuvend, njëkohësisht deputetja Albana Vokshi tha se, Veliaj blen makina elektrike, por nuk bën investime në ujësjellës.

Deklarata e plotë e Albana Vokshit:

Të gjithë qytetarët e Tiranës e dinë se Fatura e ujit të pijshëm është shtrenjtuar çdo vit, që kur qyteti drejtohet nga Erion Veliaj. Por, megjithëse paguajne më shtrenjtë, ujë të rrjedhshëm në rubinet nuk ka.

Çmimi bëhet disa herë më i shtrenjtë për ata qytetarë që e blejnë ujin në treg.

Erion Veliaj, i cili ka rritur taksat dhe tarifat, përfshirë edhe atë të ujit, ankohet se nuk ka para mjaftueshëm për ujësjellësin.

E vërteta është se Ujësjellësi i Tiranës, nën varësinë direkte te Erion Veliajt, ka parà, por, në vend që t’i investojë ato për furnizimin me ujë të kryeqytetit, ka blerë këto ditë 5 makina elektrike.

Ajo çfarë bie në sy janë specifikimet e ujësjellësit për aksesorët luksozë të makinave të blera, që nga pasqyrat me palosje elektrike deri tek sistemi i navigimit.

Partia Demokratike disponon të dhëna se vendimi i Ujësjellësit të Tiranës për të blerë makina luksoze elektrike është korruptiv dhe për interesa biznesi që lidhen me atë vetë, miqtë dhe familjen e kryeministrit.

Makinat elektrike me vlerë gati 40 milionë lekë secila janë blerë tek miku i Edi Ramës, Agron Papuli, i cili ka qenë i vetëm në garë, sepse, sipas specifikimeve të Ujësjellësit, dhënia e miliona lekëve paracaktuar për makinat e Papulit. Ky është i njëjti përson të cilit policia i mori me qera disa makina pak kohë më parë për 1.8 milionë euro të tjera. Ky është financuesi i Edi Ramës, i cii i ka dhënë 17.3 milionë euro nga buxheti vetëm për blerje makinash

Erion Veliaj duhet të tregojë a është blerja e këtyre makinave dhe plani për autobuzët elektrikë, pjesë e aferës me vëllain e kryeministrit, Olsi Rama, për të siguruar karikimin e automjeteve elektrike në pikat e kontrolluara nga Olsi Rama?!

Qytetarët e Tiranës paguajnë më shumë për faturat e ujit të pijshëm, sepse Erion Veliaj nuk blen vetëm makina elektrike për të pasuruar financuesin e Edi Ramës, por për të pasuruar edhe vëllain e Drejtorit të vet të Rrugëve, tek i cili blen matësit e ujit.

Erion Veliaj nuk e trajton veten njësoj si qytetarët e Tiranës, të cilët nuk kanë ujë të pijshëm në shtepi, sepse investimet e Bashkosë mungojnë. Për zonën rezidenciale ku ai banon, Ujësjellësi ka investuar rreth 300 milionë lekë që Erion Veliajt të mos i mungojë uji në shtëpinë e tij luksoze.

Qytetaret e Tiranes nuk e meritojnë një kryebashkiak të korruptuar, prioriteti kryesor i të ciit është pasurimi i shpejtë nëpërmjet grabitjes së qytetarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat