Veliaj pret ish-kryediplomatin italian, Frattini: Tirana, me rrugë më të mira sesa Roma - Bota Sot
Veliaj pret ish-kryediplomatin italian, Frattini: Tirana, me rrugë më të mira sesa Roma

Tirana

E enjte, 15 nëntor 2018

Veliaj pret ish-kryediplomatin italian, Frattini: Tirana, me rrugë më të mira sesa Roma

Më: 20 tetor 2018 Në ora: 13:59
Erion Veliaj dhe Franco Frattini

Takimi, në të cilin u vlerësuan ndër të tjera marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy popujve të Italisë dhe Shqipërisë, nuk e pengoi ish-ministrin e Jashtëm italian, Franco Frattini, dikur edhe ish-komisioner i BE-së për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë, të shfaqte entuziazmin e tij për ndryshimin e Tiranës.

Frattini kishte qenë në kryeqytetin shqiptar për herë të fundit në vitin 2013, ndërkohë që sot, kur rikthehet pas plot 5 vitesh, ai ka mbetur i habitur nga transformimi i madh që ka pësuar Tirana. Dhe këtë e shprehu gjatë pritjes së organizuar në Bashkinë e Tiranës nga kryebashkiaku Erion Veliaj.

“Është një gëzim i madh të takohem me kryebashkiakun e Tiranës, i cili më mirëpriti këtu si një mik dhe si kryebashkiak i qytetit ku jam ‘Qytetar Nderi’. Vijoj të kem një afeksion të madh për këtë qytet, për qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërinë. Kam qenë këtu për herë të fundit në 2013-n dhe sot gjeta një qytet më të bukur, më të pastër, e mbi të gjitha me rrugë të mrekullueshme, që duhet t’i kemi edhe në Romë, ku fatkeqësisht ka shumë gropa. Kështu që kryebashkiak, eja edhe në Romë dhe të na tregosh si bëhen mirë këto punë”, tha Frattini.

Veliaj tha se Franco Frattini është një nga personalitetet që ka dhënë një kontribut të spikatur në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë, për mbështetjen e pakursyer për integrimin europian dhe, në veçanti, për udhëheqjen e procesit historik të lëvizjes pa viza të qytetarëve shqiptarë.

“Jam shumë i lumtur sot që pres një ‘Qytetar Nderi’ të Tiranës, të madhin Franco Frattini, me një mirënjohje të jashtëzakonshme për atë që ka bërë për qytetin dhe vendin tonë, dikur me autoritetin e tij në Bashkimin Europian për liberalizimin e vizave dhe faktin se, shumë prej nesh sot nuk janë në radhë nëpër ambasada, po kanë mundësi të udhëtojnë lirshëm. Jam shumë i nderuar se, si një ‘Qytetar Nderi’ i Tiranës nuk e ka harruar këtë qytet. Më vjen mirë që ai, teksa vijon karrierën e tij në gjyqësorin italian, e mban gjithmonë një sy, një vesh dhe një kokë mbrapa për qytetin e tij të nderit”, tha Veliaj.

Frattini, i cili në të gjitha detyrat ka qenë një nga avokatët më të zëshëm, por edhe bindës për avancimin e Shqipërisë në proceset integruese, shtoi se Europa është destinacioni final për shqiptarët dhe shprehu bindjen se shumë shpejt, edhe Shqipëria do të jetë vend anëtar i Bashkimit Europian, transmeton “Tch”.

“Është e vërtetë se si ministër i Jashtëm, si Komisioner Europian, kam punuar që shumë të rinj shqiptarë të mund të vinin në Europë. Europa është destinacioni final për Shqipërinë, i vetmi i mundur. Nuk ka tjetër mundësi për Shqipërinë, përveçse të jetë së shpejti, shpresoj, vendi i ri anëtar i Bashkimit Europian. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe po vijon me përmbushjen e detyrimeve drejt BE”, tha ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test