Lidhja e sheshit “Skënderbej” me “Pazarin e Ri” dhe transformimi i “Zogut të I-rë”

Tirana

Lidhja e sheshit “Skënderbej” me “Pazarin e Ri” dhe transformimi i “Zogut të I-rë”

Më: 28 tetor 2018 Në ora: 11:37
Bulevardi “Pazari i Ri”

“Pazari i Ri” dhe zgjatimi i bulevardit nuk do të jenë pjesë të ndara të qendrës së kryeqytetit. Urbanistët po shohin mundësinë e një lidhjeje harmonike mes sheshit “Skënderbej”, Pazarit dhe Bulevardit të Ri.

Shefi urbanistik në Bashkinë e Tiranës, Ditjon Baboçi thotë se projekti që do të lidhë sheshin me “Pazarin e Ri” synon të shtojë hapësirat për këmbësorët, biçikletat, si edhe të eliminojë korsitë e parkimit në të dy krahët e rrugës “Luigj Gurakuqi”, ku po ashtu do të ndërhyhet edhe në shtresat e rrugës.

“Aktualisht kemi një rrugë tejet të gjërë për automjetet, në një vend që nuk ka edhe aq shumë trafik. Rrjedhimisht, qëllimi ynë është të eliminojmë korsitë e parkimit dhe, me këtë hapësirë që fitojmë, të vendosim një korsi të re biçikletash, e gjithashtu të zgjerojmë trotuaret. Lëvizshmëria do të mbetet e njëjtë”, tha ndër të tjera Baboçi.

Një projekt i ngjashëm do të zbatohet edhe në bulevardin “Zogu i I”, segmenti ndërlidhës mes qendrës pedonale dhe Bulevardit të Ri.

“Ideja është që të eliminojmë korsinë e parkimit nga rruga kryesore dhe ta shndërrojmë, ta përshtasim për hapësirën e trotuarit, të punojmë me shtresat e trotuarit, të punojmë edhe me tipologjinë e hapësirës. Sot është një hapësirë shumë e ndarë midis rrugës së automjeteve dhe rrugës së këmbësorëve. Duam të jetë diçka që është pak më e këndshme, që detyrimisht e bën edhe më të vështirë, ul pak shpejtësinë e lëvizjes së automjeteve, me qëllim që të jetë diçka më e përdorshme për biçikletat dhe për këmbësorët”, deklaroi Baboçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat