Luani me sy të nxirë mbërrin në Tiranë

Tirana

Luani me sy të nxirë mbërrin në Tiranë

Më: 29 tetor 2018 Në ora: 14:43
Luani me sy të nxirë mbërrin në Tiranë

Mbrëmjen e së dielës, duke hyrë e hëna, 13 kafshët e “Safari Park” mbërritën në Tiranë.

U deshën rreth 12 orë që të kryhej transferimi i tyre nga Fieri në gjendje të fjetur drejt Kopshtit Zoologjik të Tiranës.

Carsten Hertwig, drejtues i fondacionit “4putrat”, u shpreh: “Ishte një operacion i vështirë le të themi sepse pronari i “Safari Park” nuk dëshironte të na i jepte kafshët, por me ndërhyrjen e Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Turizmit ia dolëm. Dua të them që Kopshti Zoologjik i Tiranës nuk është i famshëm për kushte super të mira, por për momentin është ok dhe më e rëndësishmja është se kafshët janë të sigurta”.

3 luanët e kopshtit zoologjik privat në Fier janë shpëtuar. Tashmë banesa e tyre momentale do të jetë Kopshti Zoologjik i Tiranës për rreth një muaj.

Ndryshe nga dy të tjerët, luani me sy të nxirë që mori vemendjen e të gjithëve, edhe të mediave ndërkombëtare, nuk reagon. I strukur, qëndron poshtë një tavoline brenda ambienteve të mbyllura të kopshtit zoologjik.

Veterineri Mark Goelkel thotë: “Për ta është një eksperiencë stresuese. Ata kanë jetuar për një kohë të gjatë në Fier me kushte të tmerrshme, por sërish ardhja në një vend të ri është po aq stresuese. Ndaj, kanë nevojë për kohë që të rehabilitohen. Dhe koha varet prej gjendjes së kafshëve. Disa janë më të forta dhe do të bëhen mirë shpejt, disa të tjerë duan më shumë kohë. Por mendoj se në përgjithësi, muajin tjetër do të shikojmë një ndryshim drastik në sjelljen e tyre dhe ata do të jenë gati për t’u transferuar në Gjermani dhe Holandë”.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, në bashkëpunim me fondacionin “4 putrat” kanë krijuar hapësirat e duhura sipas llojit të kafshës për një jetesë normale për to. Luanët, dhelpra, ariu, ujku dhe majmunët janë vendosur në kafazë, ndërsa antilopat, drerët dhe zebrat janë vendosur në ambientet e hapura të kopshtit, në zona të rrethuara posaçërisht për to.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat