Turizmi, gjithnjë e më atraktiv

Turizëm

Turizmi, gjithnjë e më atraktiv

Më: 26 gusht 2017 Në ora: 09:35
Ujëvarat e Mirushës

Republika e Kosovës ka burime të mjaftueshme për zhvillimin e disa llojeve tëturizmit, të cilat mund të shfrytëzohen si vende atraktive për turistët, si vendorë, ashtu edhe ata ndërkombëtarë, thonë njohës të kësaj fushe.

Kohëve të fundit, thonë ata, është vërejtur një trend më i madh i turistëve urbanë që vizitojnë qytete të ndryshme të Kosovës, por kjo ndodh me angazhimin dhe promovimin e agjencive private turistike dhe jo nga promovimi që bëjnë autoritetet kompetente.

Nga hulumtimet që kanë bërë organizata të ndryshme joqeveritare, Kosova me një sipërfaqe prej mbi 10 mijë kilometrash katrorë, posedon 1 mijë vende, të cilat konsiderohen atraktive për t’u vizituar.

Zekë Çeku, ekspert i fushës së turizmit dhe udhëheqës i Shoqatës së Turizmit në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se është vërejtur një rritje e numrit të turistëve, sidomos e alpinistëve nga Shqipëria, Turqia, Franca dhe vendeve tjera rajonale që kalojnë nëpër Kosovë.

Sipas tij, përfshirja e Kosovës në projektin e turizmit në natyre “Via Dinarica”, ka ndikuar shumë në lëvizjen e turistëve të huaj.

“Via Dinarica” është platformë, e cila shërben për të promovuar trashëgiminë kulturore dhe për zhvillimin e shumë sektorëve të turizmit, qoftë në nivel vendi apo ndërkombëtar.

“Në fillim të këtij viti Kosova është përfshirë në projektin ‘Via Dinarica’, e cila shtrihet prej Sllovenisë deri në Greqi. Pastaj, jemi në fillim të projektit për Bjeshkët e Sharrit, që është projekt i ngjashëm me projektin ndërkufitar ‘Majat e Ballkanit’ - Kosovë, Shqipëri Mal i Zi”, thotë Çeku.

Image
Burimi i Drinit të Bardhë

Projekti “Majat e Ballkanit” në përbërjen e saj ka identifikuar dhe zhvilluar shtegun malor prej 192 kilometrave, që lidh fshatrat malore nga të tri shtetet (Kosovë, Shqipëri, Mal i Zi).

Rajoni qendror turistik i Prishtinës, ai i Alpeve Shqiptare, rajoni turistik i Sharrit, i Mitrovicës dhe ai i Anamoravës, konsiderohen si pesë rajonet kryesore turistike në Kosovë.

Megjithatë, Çeku thotë se përveç numrit të vizitorëve rezident vendorë, një numër të madh të vizitorëve e përbëjnë edhe qytetarët, po ashtu, të Kosovës, por që jetojnë në vende të ndryshme të botës, e të cilët vijnë për pushime.

“Turizmi malor është një trend pozitiv dhe i vetëdijesimit, sidomos gjatë verës kur vijnë qytetarët nga diaspora, pasi ata janë financuesit kryesor të udhëtimeve. Por, shihet një trend pozitiv i interesimit të vendorëve për vizita të pikave turistike në natyrë”, thekson Çeku.

Edhe disa qytetarë thonë për Radion Evropa e Lirë se me interesim i vizitojnë vendet e ndryshme turistike në Kosovë, por që, sipas tyre, nevojiten më shumë investime.

Adnan Shaqiri nga Prishtina, studion në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës. Ai thotë se Kosova ka mjaft vende turistike.

“Vende turistike ka mjaftueshëm. Për stinën e verës janë Rugova, Prevalla e të tjera, për stinën e dimrit kryesisht Brezovica. Unë, nuk i vizitoj shumë shpesh, sepse varet prej kohës”, thotë ai.

Kurse, Sara Bujupi thotë se i pëlqejnë vendet si qyteti i Prizrenit, ku ajo shkon shpesh, ndonëse parapëlqen që të ketë më shumë investime.

“Në Kosovë ka vende turistike, por nuk janë të zhvilluara. Qyteti i Prizrenit mua më pëlqen shumë dhe mendoj se është mjaft i pëlqyer edhe nga të tjerët, pasi që kur shkoj atje, aty takoj shumë njerëz nga rajone të ndryshme. Por, mendoj se duhet të investohet më shumë”, thotë Sara Bujupi.

Ndryshe, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, disa herë janë shprehur se përpjekjet janë të vazhdueshme që sektori i turizmit të jetë edhe më atraktiv për vizitorët. Për këtë janë hartuar edhe disa plane që konsiderohen avancuese për zhvillimin e turizmit në Kosovë.

Në bazë të statistikave të hotelerisë, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, thuhet se në vitin 2016, numri i vizitorëve ka qenë rreth 200 mijë, prej të cilëve, 131 mijë kanë qenë vizitorë të jashtëm, kurse mbi 62 mijë vizitorë vendorë.

Në tremujorin e parë të këtij viti, numri i vizitorëve ka qenë më shumë se 24 mijë vizitorë, prej të cilëve, llogaritet se më se 68 për qind ishin të huaj, kurse 31 për qind vendas./Rel/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat