Klosi: Asnjë tolerim për subjektet që cënojnë mjedisin dhe turizmin

Turizëm

Klosi: Asnjë tolerim për subjektet që cënojnë mjedisin dhe turizmin

Më: 28 prill 2018 Në ora: 20:50
ilustrim

“Institucionet nuk do të tolerojnë subjektet që shkelin rregullat dhe ligjet duke cënuar mjedisin dhe turizmin shqiptar”, deklaroi sot ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në Konferencën Kombëtare të Turizmit organizuar nga Unioni Turistik Shqiptar.

Ministri Klosi theksoi se shërbime më cilësore, ambiente të pastra, të gjelbërta dhe të sigurta janë përgjegjësi që duhen ndërmarrë nga të gjithë.

“Është e pafalshme që hotelet të mos depurojnë ujërat e ndotur, apo qytete si Saranda të shndërrohen në diskoteka ku baret e restorantet bëjnë garë me volumin e muzikës”, tha Klosi ndërsa u tërhoqi vëmendjen shoqatave që nuk u përfshinë në Javën e Tokës për të pastruar plazhet dhe zona turistike.

“Më shumë turistë, më shumë përgjegjësi dhe detyrime”, tha ai.

Kreu i Turizmit dhe i Mjedisit kërkoi përfshirjen e shoqatave turistike në operacionin “Smile Albania” ku do të rekrutohen 1 mijë të rinj e të reja që do të presin turistët.

“Ka ardhur koha që Shqipëria të mendojë gjerësisht për zgjatjen e sezonit turistik, për diversifikimin e ofertës turistike dhe për këtë duhet  bashkëpunim i të gjitha palëve për politika afatgjata të cilat do ta shndërrojnë Shqipërinë në destinacion turistik europian”, shtoi Klosi.

“Vija e parë e bregdetit do të jetë për hotelet që do  të ngrejnë ekonomi dhe jo për resorte real estate”, u shpreh kreu i Turizmit dhe Mjedisit .

Në fjalën e tij, ministri Klosi theksoi se shoqatat e turizmit duhet ta konsiderojnë Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit partnerin e tyre, që dëgjon kritikat, idetë dhe mendimet e tyre për të çuar turizmin drejt një zhvillimi të qëndrueshëm./ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat