Mes gjelbërimit dhe bukurive natyrore të Gramshit

Turizëm

Mes gjelbërimit dhe bukurive natyrore të Gramshit

Më: 2 maj 2018 Në ora: 18:26
Gramsh

Edhe ditën e sotme pati disa agjenci turistike që udhëtuan drejt vendeve turistike të Gramshit.

Gramshi mund të shfrytëzohet për turizëm ditor nga banorët e disa qyteteve si Tirana, Elbasani, Lushnja, Berati etj.

Me një rrugë automobilistike që ke dëshirë të udhëtosh, me një peizazh natyror që të befason me gjelbërimin dhe bukuritë natyrore dhe sapo kalon Cërrikun, fillon vërtet ajo që ju kërkoni.

Përballë të shfaqet diga e madhe e hidrocentralit të Banjës me liqenin madhështor me ujërat e pastër mes dy faqeve malore.

Nga diga deri në qytetin e Gramshit, ka mjaft pika çlodhjeje mes një natyre të veçantë.

Ka lokale, kampingje të ngritur nga turiste endacakë që preferojnë ta kalojnë natën në natyrë, por mbi të gjitha, ndesh edhe me derdhje lumenjsh që zbresin nga shpatet lindore të liqenit dhe derdhen në të.

Midis tyre është dhe lumi Holta, një nga perlat e bukurisë natyrore të vendit tonë, me kanionet e tij të mrekullueshëm, që e nis shtrirjen e tij nga fshati Bardhan deri në fshatin Kobash me gjatësi rreth 3 km, ndërsa shpatet e luginës ngjiten lartë deri në i 100 – 150 m dhe me thellësi të ujit që shkon deri në 3 m.

Në shpatet e thepisura në rrjedhën e këtij lumi, gjenden shumë shpella karstike që janë të vizitueshme nga natyralistët dhe aventurierët e ngjitjeve sportive.

Veç lumit me kanionet befasuese të tij, në shpatet malore të kësaj zone, gjenden pyje me drurë të rrallë panje, bredhi, pisha si dhe mjaft specie të rralla kafshësh dhe shpendësh.

Holta është një zonë turistike e pa eksploruar akoma.

Në zonën e Gramshit ka shumë monumente të natyrës apo dhe të historisë të antikitetit, burime natyrore si, Ujëvara e Sotirës, që mbeten pak të vizitueshme për shkak të infrastrukturës rrugore.

Kanionet e lumit të Holtës vizitohen duke u nisur nga Gramshi-Bardhan-Kabash, një rrugë e vështirë për makinat dhe ka një gjatësi rreth 18 km.

Kjo zonë dhe kjo rrjedhë lumore është një atraksion turistik për pasionantët e natyrës, të aventurës dhe historisë që mund të shfrytëzohet në çdo stinë.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat