ArabNews: Shqipëria, një destinacion atraktiv për gjithë vitin

Turizëm

ArabNews: Shqipëria, një destinacion atraktiv për gjithë vitin

Nga: atsh Më: 5 maj 2018 Në ora: 10:28
Shqipëri

Bukuria e saj natyrore, pozicioni i saj gjeografik dhe klima e saj mesdhetare e bëjnë Shqipërinë një destinacion atraktiv për gjithë vitin, shkruan ArabNews.

Këta faktorë kanë ndikuar në rritjen e numurit të turistëve që vizituan Shqipërinë në vitin 2017 në më shume 5,2 milionë.

Kohët e fundit, me rritjen e turizmit u rrit edhe numri i paketave turistike në zonat më të bukura të Shqipërisë si ”turizmi i diellit dhe detit”, ”turizmi i historisë dhe kulturës”, ”turizmi malor” si dhe fusha të tjera.

Sipas ambasadorit shqiptar Sami Shiba qytetarët e Arabisë Saudite, Bahreinit, Omanit dhe Katarit mund të hyjnë në Shqipëri pa viza nga 1 prilli deri më 31 tetor. 

Shqipëria ka një vijë bregdetare 450 kilometra, që shtrihet nga deti Adriatik deri në detin Jon, ku mund të shijohet edhe për pak kohë klima e Llogarasë dhe klima e Dhërmiut.

Përveç plazheve të shumta, bregdeti është i pasur edhe me laguna dhe ekosisteme natyrale. Bregdeti është i spikatur edhe për bukuritë mahnitëse dhe ujërat e pastra kristal. Një nga zo nat turistike më emocionuese është bregdeti ku dielli shkëlqen mbi detin e kulluar, mbi konfigurimet e plazheve gurore dhe mbi kodrat dhe malet e mbuluara me bimësi mesdhetare.
Kjo është zona më e bekuar e Shqipërisë me 300 ditë diell. Qyteti i Sarandës është qyteti më i populluar i rivierës dhe është një destinacion i rëndësishëm turistik dhe i preferuar, sidomos për çiftet e sapomartuara për muajin e mjaltit. Qyteti është pozicionuar më së mirë dhe gjendet vetëm nëntë kilometra nga ishulli i Korfuzit.

Shqipëria është e pasur me ujëra minerale, lumenj, liqene dhe një vijë të gjatë bregdetare. Dy nga ekosistemet e rëndësishme janë liqeni i Ohrit dhe ai i Shkodrës të njohur edhe nga konvencionet e RAMSAR si dhe nga UNESCO.
Shqipëria është gjithashtu e pasur edhe nga burime të shumta dhe përrenj. Katër prej burimeve më të mëdha dhe të famshme janë Syri i Kaltër në Sarandë, Uji i Ftohtë në Tepelenë, Viroi i Gjirokastrës si dhe Syri i Sheganit në liqenin e Shkodrës.

Shqipëria ka pasuri dhe mundësi të mëdha zhvillimi përsa i përket turizmit malor. Alpet malore në veri, malet përgjatë vijës bregdetare, malet në Krujë, Berat dhe Elbasan ofrojnë mundësi të mëdha për turistët edhe gjatë dimrit me një klimë te favorshme. Shqipëria ofron gjithashtu edhe akomodime tradicionale në zonat malore. 

Strehimi zakonisht bëhet nëpër shtëpi guri të quajtura ”kulla”, ku pronarët do u ofrojnë një ushqim shumë të shijshëm si dhe bukë, mjaltë, djathë si dhe shumë produkte të tjera tradicionale.

Malet e Ballkanit që u përkasin Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi janë destinacione që po shtojnë popullaritetin me turistë nga e gjithë bota.

Shqipëria ka një pasuri të madhe historike dhe kulturore, e njohur nga pasuria kulturore botërore dhe meriton një mbrojtje speciale.

Në jug të vendit gjendet Butrinti, i cili bën pjesë në listën e pasurisë botërore UNESCO dhe është konsideruar si një nga vendet më të bukura në botë. Gjithashtu në listën e UNESCO-s gjenden edhe dy qytete të famshme për arkitekturën e tyre. Berati dhe Gjirokastra. Historia e pasur e këtyre vendeve do të lerë të surprizuar gjithë vizitorët e këtyre vendeve.
Shqipëria është një vend i sigurtë për turistët. Njerëzit janë shumë të hapur kundrejt turistëve. Mikpritja është një traditë e vjetër e shqiptarëve dhe për të huajt ka një respekt të veçantë. Përveç mikpritjes, shqiptarët shquhen edhe për folklorin dhe traditat.

Përgjatë vizitave nëpër muzeume të ndryshme mund të shijosh edhe aktivitete folklorike të trashëguar në shekuj dhe që vazhdon akoma sot.

Për turistët sauditë që duan të vizitojnë Shqipërinë nuk ka kërkesa specifike. Në periudhën e verës, nga 1 prilli deri më 31 tetor, ata mund ta vizitojnë Shqipërinë pa vizë.

E vetmja gjë që duhet është një pasaportë e vlefshme. /ATSH/ 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat