Korça çel sezonin turistik me paradën madhështore të Karnavaleve

Turizëm

Korça çel sezonin turistik me paradën madhështore të Karnavaleve

Më: 3 qershor 2018 Në ora: 20:39
Korçë

Për të 11-tin vit radhazi, Korça ka çelur sezonin turistik me Festivalin Ndërkombëtar të Karnavaleve.

Korça e njohur për Karnavalet e famshme, e ka shndërruar këtë traditë në një nga festat më të bujshme të qytetit.

Grupe korçare, por dhe  të ardhur nga qytete të tjera e nga jashtë vendit pushtuan bulevardin e Korçës, duke parakaluar me madhështi në një paradë ku çdo pjesëmarrje shoqërohej me nga një fabul.

Personazhet e përrallave, ata mitik dhe të jetës reale sollën përmes paradave shumëngjyrëshe atmosferë fantastike që tërhoqi vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj.

28 grupe të përbërë kryesisht nga të rinjtë marshuan në rrugët e qytetit juglindor ku si çdo vit nuk munguan ballot me maska si dhe serenatat tradicionale korçare.

Kryetari i Bashkisë Sotiraq Filo tha se investimet e bëra në qytet do të rrisin numrin e turistëve vendas e të huaj.

Filo tha se ky është një festival ndërkombëtar pasi përveç grupeve të qytetit, pjesë e karnavaleve janë bërë edhe grupe nga Maqedonia, Bullgaria dhe Brazili.

Karnavalet kanë filluar të festohen në Korçë para viteve 1940, periudhë në të cilën jeta kulturore në këtë qytet ka qenë e larmishme. Karnavalet e Korçës morën një hov të madh pas krijimit të shoqërive kulturore si “Rinia Korçare” etj. Në këtë periudhë karnavalet shoqëroheshin me mandolina, kitara dhe këngë humoristike. Kjo festë u ndërpre rreth viteve 60 për të rinisur pas viteve ‘90.

Korça është një ndër qytetet e para që rizgjoi traditën e karnavaleve duke krijuar në vitin 1992 Shoqatën e Karnavalit si pjesë e Shoqatës Kombëtare të Karnavalit Shqiptar. Në 10 Prill të vitit 1994, në Korçë organizohet Festivali i Parë Ndërkombëtar i Karnavalit në Shqipëri.

Një vit më pas organizohet Festivali i dytë Ndërkombëtar i Karnavalit me përmasa akoma më të mëdha. Që nga ky vit dhe deri në vitin 2008, grupi i Karnavaleve të Korçës është përfaqësuar në një sërë festivalesh ndërkombëtare të organizuara në vende të ndryshme europiane. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat