Sa kushtojnë pushimet në Velipojë, çmimi i hotelit për një natë

Turizëm

Sa kushtojnë pushimet në Velipojë, çmimi i hotelit për një natë

Më: 19 qershor 2018 Në ora: 10:53
Plazhi i Velipojës

Velipoja ka çelur sezonin turistik dhe rruga e re pritet të shtojë numrin e turistëve.

E bekuar nga natyra me detin dhe rërën, edhe zhvillimi i rrjetit të hotelerisë me shërbimin dhe çmimet që ofron e bën atë konkurruese dhe të pëlqyer për pushuesit dhe turistët.

Drejtori i Turizmit në Bashkinë e Shkodrës, Gentian Mema, në ‘Tonight Ilva Tare’ thotë se çmimet variojnë nga 20 euro deri në 80 euro vetëm për fjetje, pa përfshirë ushqimin.

Mema: Çmimet janë goxha të konkurrueshme, shumë të mira. Varion nga periudha dhe cilësia e hotelit. Ka hotele shumë të mira që ofrojnë shërbime shumë të mira. Nata varion 70-80 euro për dhomë. Fillon nga 20 euro nata, flas në periudhën e pikut. Ka edhe shtëpi pritëse, jo bujtina, nuk ofrojnë ushqim.

Një pjesë shumë e mirë e turizmit zhvillohet mbi shtëpi pritëse. Çmimi i tyre përsëri varion edhe nga afërsia e vijës së rërës. Por përgjithësisht me një mesatare, Velipoja mbetet me çmime mjaft konkurruese. 70-80 euro janë dy-tre hotele që ofrojnë, por shërbimi është në kushte mjaft të mira, me pishina, shërbim shumë të mirë, restorante shumë të mira.

Velipoja ka një kapacitet hotelier prej 25 mijë shtretërish, ndërsa vitet e fundit ka edhe një zgjatje të sezonit që nis në maj dhe përfundon në tetor, në varësi edhe të kohës.

Mema: Vitet e fundit është zgjatur sezoni. Turistët etnikë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia vijnë deri në një sezon shumë të vonë në ndryshim nga pjesa tjetër e turistëve shqiptarë, vinë deri nga tetori. Por kryesisht ata që kanë mundësi kohe, si pensionistët dhe ata që kanë mundësi ekonomike për të lëvizur. Fillojnë dhe shumë herët, nga maji. Por 15 korrik-15 gusht, arrin pikun e vet Velipoja, shkon rreth 25 mijë shtretër. Në total shkon edhe mbi 1 milion netë fjetje. Një person kalon mesatarisht 8-9 ditë në Velipojë, nuk janë shumë për aq kapacitet hotelier që ka Velipoja. Llogariten 25 mijë shtretër.

Por nga vinë pushuesit?

Mema: Nga zona e Shkodrës, emigrantët, edhe Tropoja dhe Kukësi. Shumica e pushuesve janë nga Kosova dhe Maqedonia. Vihen re kohët e fundit pushues dhe nga zonat e brendshme të Ballkanit, Serbia, maqedonas, që është fenomen i viteve të fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat