Turizëm jo vetëm në det

Turizëm

Turizëm jo vetëm në det

Më: 30 qershor 2018 Në ora: 14:54
Foto ilustrim

Moti i paqëndrueshëm i këtij muaji u ka dhënë mundësi turistëve, veçanërisht atyre të huaj, të shijojnë më shumë turizmin kulturor e kulinar, duke sjellë edhe më shumë të ardhura në vend.

Një gotë verë më shumë, kënaqësi nga të shijuarit pa nxituar të vaktit ushqimor, vizita në qytet, monumente historike e arkeologjike, si dhe më shumë shëtitje buzë detit.

“Nuk ka ndikuar te turistët e huaj, por vetëm te turistët ditorë dhe ata që vijnë për fundjavë. Turistët janë marrë me guida turistike. Kanë shkuar në Durrës, Tiranë, Krujë, Ohër, Butrint e Sarandë”, thotë Ekleona Kondi, menaxhere grupi hotelier.

Një turist polak, duke qeshur thotë se ditët me shi i ka kaluar duke pirë, ndërsa të tjerë shprehen se kanë shijuar jo vetëm ushqimin e birrën e freskët, por dhe vizitat në Durrës e Tiranë, si dhe miqësinë e vendasve.

“Një shok më thoshte se duhej të vija në Shqipëri dhe erdha. Jetoj në Turqi, në Stamboll. Dje që ishte shi, isha në Tiranë dhe vizitova muzeumet. Shkova dhe në një restorant peshku shumë të mirë. U kënaqa. Pastaj shëtitje nëpër plazh, poshtë e lart. Më pëlqen Durrësi”, thotë një turist i huaj.

“Jemi nga Suedia. Në kohë shiu e kalojmë duke bërë pazar, në qytet në Durrës”, shprehet një tjetër turist.

“Bëjmë ca pushim. Pijmë ndonjë birrë, shijojmë drekën. Shqiptarët janë shumë miqësorë, të dashur”, thotë një tjetër turist.

Tatiana është nga Bjellorusia dhe punon si guidë turistike në vendin tonë. Ajo tregon se turistët bëjnë shumë ekskursione gjatë këtyre ditëve me mot të paqëndrueshëm, e mes tyre vizitojnë edhe kantinën ku prodhohet konjaku i famshëm “Skënderbeu”.

“Është hera ime e parë në Shqipëri. Punoj si udhëheqëse turistike. Turistët tanë janë shumë të sjellshëm e të interesuar për Shqipërinë. Ata kanë pëlqyer shumë natyrën dhe kanë bërë ekskursione, si vizitat në Tiranë dhe në Durrës, në qytetin e vjetër dhe Amfiteatrin Antik. Ata kanë pëlqyer shumë edhe fabrikën ‘Skënderbeu’, sepse ata dinë shumë për alkoolin. Kanë pëlqyer shumë dhe Ohrin, sepse ata pëlqejnë të vizitojnë kishat. Çdo ditë ka mundësi të reja, vende të reja për të vizituar”, thotë Tatiana Kolosova, udhëheqëse grupesh turistike.

Elizaveta është një vajzë ruse që të befason me shqipen e saj. Ajo ka mbaruar studimet për gjuhë shqipe në Shën Pjetërburg dhe aktualisht është punësuar këtu si menaxhere udhëtimesh, duke lehtësuar dhe komunikimin e shumë turistëve nga Rusia, Ukraina dhe Bjellorusia, gjatë qëndrimit në vendin tonë.

Mes tyre ka shumë rusë nostalgjikë për të njohur zhvillimet e Shqipërisë. Përveç kënaqësisë që i fal puna në sektorin e turizmit shqiptar, ajo thotë se ka ende shumë për të bërë në shërbime dhe infrastrukturë.

“Turistët tanë janë shumë të interesuar për Shqipërinë. Ka shumë vende të bukura, por jo të gjitha janë të vizitueshme për shkak të rrugëve. Ka pasur marrëdhënie të ngushta mes Rusisë dhe Shqipërisë dhe shumë turistë e njohin Shqipërinë, e tani e shohin sesi ka ndryshuar Shqipëria. Ka disa probleme. Për shembull, shërbimet nuk janë në nivelin europian në shumë hotele e restorante. Por, ka disa hotele të nivelit europian. Kamerierët nuk dinë 2-3 gjuhë, po shqip, ose vetëm shqip e italisht. Po ashtu problem mbetet dhe infrastruktura. Shqipëria ka shumë vende të bukura që unë dua t’ua tregoj turistëve, por për fat të keq për momentin nuk mundem”, thotë Elizaveta Atakova, menaxhere destinacionesh.

Ndërkohë, muaji korrik premton ditë plot diell dhe më shumë plazh për të gjithë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat