Parku Arkeologjik i Apolonisë u vizitua nga mbi 29 mijë turistë gjatë periudhës janar-korrik 2018, duke sjellë dyfishimin e numrit të vizitorëve në këtë park, krahasuar me një vit më parë.
Statistikat e 7-mujorit që lamë pas janë mjaft optimiste, duke shënuar edhe rritje të të ardhurave për këtë park.
Sipas të dhënave të Parkut Arkeologjik Apolonia, numri i vizitorëve gjatë periudhës janar-korrik ka një shtim të ndjeshëm në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Angazhimi i strukturave drejtuese, promovimi që po i bëhet vlerave historike dhe kulturore si dhe infrastruktura e përmirësuar duket se kanë dhëne frutet e para.
Kështu për periudhën janar-korrik 2018, qytetin antik e kanë vizituar ne total 29.103 vizitorë krahasuar me 12.570 vizitorë në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Numri në rritje i vizitorëve ka ndikuar edhe në shtimin e të ardhurave nga biletat, nga 2.530.000 lekë vitin e kaluar në 5.351.540 lekë gjatë këtij viti. /ATSH