“Lovely Planet”, pamje mahnitëse nga alpet shqiptare

Turizëm

“Lovely Planet”, pamje mahnitëse nga alpet shqiptare

Më: 28 gusht 2018 Në ora: 10:38
Alpet Shqiptare

Alpet Shqiptare po mahnitin gjithnjë e më shumë turistët e huaj, duke u kthyer me shpejtësi në një destinacionin e tyre të preferuar.

Turistët që zgjedhin Alpet Shqiptare dhe Luginën e Valbonës për të shijuar bukurinë dhe klimën e mrekullueshme të tyre, po shtohen dita ditës.

Në kërkim të shtigjeve të pashenjuara, kompania mediatike e sporteve ekstreme dhe aktiviteteve outdoor, Teton Gravity Research, pjesë e Lonely Planet, ka vizituar Shqipërinë dhe ka prodhuar këto pamje mahnitëse të Alpeve tona.

Turistët që zgjedhin Luginën e Valbonës dhe Alpet Shqiptare për të kaluar pushimet e tyre, do të kenë informacionin e domosdoshëm për këtë destinacion, aktivitetet, shërbimet dhe pikat me interes për t’u vizituar. Duke nisur nga data 1 Gusht, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur Zyrën e Informacionit Turistik në Valbonë. Po ashtu FSHZH ka kontribuar ne hartimin e Masterplanit të Alpeve, dokumenti strategjik i zhvillimit të rajonit për 15 vitet e ardhshme, ndërsa ka nisur investimet e para bazuar në këtë dokument.

Alpet Shqiptare shtrihen në veri të lumit Drin dhe në perëndim të rrjedhjes së poshtme të lumit Valbona (degë e Drinit). Ato përfshijnë pjesën veriore të vendit dhe zënë rreth 8% të tij; kanë pozitë gjeografike tepër të izoluar, sepse rrugët që i lidhin ato me rajonet e tjera të vendit dhe trevat shqiptare jashtë kufirit, janë të pakta dhe në gjendje të keqe, transmeton atsh.

Tek Alpet dallohen blloqet, malësitë, kurrizet malore dhe luginat:

Blloku i Jezercës shtrihet në qendër të Alpeve dhe ka reliev më të lartë, më të ashpër dhe më të thepisur. Aty ndodhet maja e Jezercës 2694 m, më e larta në Alpet dhe e dyta në Shqipëri, pas majës së Korabit.

Malësia e Madhe shtrihet në veriperëndim të Alpeve. Në përbërje të saj ka kurrize malore, blloqe e male të larta (Bjeshkët e Namuna me Iartësi 2400 – 2500 m) si dhe disa pllaja të larta (Velecik – Bridashe) dhe disa lugina: e Vermoshit, e Cemit, e Përroit të Thatë etj.).

Lugina e Shalës është ndër më të mëdhatë në Alpet Shqiptare. Përgjatë saj ndërthuren zgjerimet, në të cilat janë vendosur qendrat e banuara (Thethi, Bregu i Lumit etj.) me ngushtimet, që në disa raste marrin formën e kanioneve.

Kurrizet malore midis luginës së Shalës e Valbonës, që ndahen nga lugina e Currajt, kanë reliev të ashpër me plot maja të ashpra dhe të thepisura dhe bimësi të dendur pyjore.

Lugina e Valbonës, një luginë tjetër e madhe e Alpeve, ka formën e një harku të madh. Përgjatë saj ndërthuren zgjerimet me ngushtimet, shpesh në formën e kanioneve. Në zgjerimet janë vendosur qendrat e banuara si: Ragami, Valbona, Dragobia etj.  Parku Kombëtar i Valbonës shtrihet në 8,000 m hektarë dhe kosiderohet si mrekullia e Alpeve shqiptare.

Malësia e Gashit përmendet për relievin e ashpër me forma të shumta akullnajore, në të cilat ka liqene të vogla, por me bukuri të rrallë, pyje dhe kullota të pasura.

Parku Kombëtar i Thethit. Ndodhet në një distancë prej 70 km nga qyteti i Shkodrës në zemër të alpeve shqiptare. Parku në fjalë ka një sipërfaqe prej 2.630 hektar dhe shtrihet në një lartësi që varion nga 600 – 2.570 metra mbi nivelin e detit.

Razma është një prej pikave turistike malore më të frekuentuara nga qyteti i Shkodrës. Zona është e rrethuar me pyje pishe dhe mënshteke. Ajo nuk bllokohet nga dëbora ndaj mbetet e vizitueshme gjatë gjithë vitit. Këtu ofrohet akomodim, ndërsa aktivitetet kryesore janë sportet dimërore, ekskursionet, ngjitjet etj.

Vermoshi ndodhet në një distancë prej 95 km larg nga qyteti i Shkodrës dhe pikërisht në ekstremin më verior të Republikës së Shqipërisë. Kjo zonë quhet krahina e Kelmendit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat