Butrinti duket magjik në çdo stinë

Turizëm

Butrinti duket magjik në çdo stinë

Më: 30 tetor 2018 Në ora: 07:29
Butrinti

Parku Kombëtar i Butrintit me rrënoja mahnitëse greke, romake, osmane, i ndodhur në pjesën jugperëndimore të vendit, është një nga destinacionet që po vizitohet edhe këto ditë nga turistë vendas dhe të huaj adhurues të historisë së lashtë, pasi ky vend ofron numër të konsiderueshëm vendesh arkeologjike dhe konsiderohet si një “mikrobotë e historisë shqiptare”.

Ky park ofron përveç historisë dhe bukuri natyrore të cilat kanë veçantinë e tyre në çdo stinë, pasi në këtë park shtrihet deti, i cili mbart bukuritë natyrore, historinë dhe rrënojat arkeologjike me vlera të mëdha për trashëgiminë tonë.

Butrinti është një mikrokozmos i historisë së Mesdheut, që prezanton ngritjet dhe uljet e perandorive të mëdha që kanë mbizotëruar në rajon. Sot është një amalgamë e monumenteve që prezantojnë një hapësirë me mbi 2000 vjet nga tempujt helenikë të shek. IV para Kr., deri në kalatë osmane të fillimit të shek. XIX. Në bazë të mitologjisë klasike, Buthrotum u ndërtua nga mërgimtarët që ikën pasi ra Troja. Me të arritur, djali i Priamit, Helenusi, sakrifikoi një dem, i cili përpëlitej i plagosur dhe ngordhi në breg. Duke e marrë këtë si një shenjë të mbarë, vendi u quajt Buthrotum që do të thotë “dem i plagosur”. Poema epike e Virgjilit, Eneida, rrëfen për Eneun që vizitoi Butrintin gjatë rrugës së tij për në Itali, transmeton atsh.

Në vitin 228 para Kr., ai ra nën sundimin romak, dhe në shek. I para Kr. u bë pjesë e provincës së Maqedonisë. Jul Çezari ngriti një koloni dhe vendosi veteranët e tij rreth vitit 45 para Kr., ndërsa Augusti dyfishoi madhësinë e qytetit dhe numrin e kolonizatorëve romakë. Ndërtesa të reja u ndërtuan përfshirë edhe një akuadukt, banjë romake, disa shtëpi, forumi dhe nimfeu.

Madhësia e qytetit u dyfishua dhe trefishua deri sa u ndërpre gjatë periudhës së mëvonshme të Perandorisë. Sot vendi është i hapur për vizitorët, si pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat