Vdekja e maturantes në Vlorë, babai rrëfen bisedën e fundit! - Bota Sot
Vdekja e maturantes në Vlorë, babai rrëfen bisedën e fundit!

Vlora

E enjte, 20 shtator 2018

Vdekja e maturantes në Vlorë, babai rrëfen bisedën e fundit!

Më: 10 maj 2018 Në ora: 22:43
Pamje nga Vlora

Vdes në klasë nxënësja maturante, ende mister shkaku.

Një vajzë vetëm 18 vjeçe ka ndërruar jetë mëngjesin e së mërkurës në qytetin e Vlorës.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë kohës kur Gerta Kasa, maturante në gjimnazin “Jani Minga”, ishte duke ndjekur mësimet. 18- vjeçarja ka humbur ndjenjat dhe pavarësisht dërgimit me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ajo nuk ka mundur të jetojë, shkruan “Panorama”.

Mësohet se ambulanca e ka gjetur pa shenja jete gjimnazisten, ndërsa mjekët shtojnë se në momentin që ka mbërritur në spital, nuk kishin se çfarë të bënin. Fillimisht u dyshua se vajza ka vuajtur nga epilepsia dhe kjo mund të jetë bërë shkak për vdekjen e papritur të saj.

Por, një gjë të tillë e kanë mohuar babai dhe të afërmit e Gretës. Edhe vetë mjekët e spitalit të Vlorës konfirmojnë se vajza nuk ka vuajtur nga kjo sëmundje, duke shtuar se po ashtu krizat e kësaj sëmundjeje nuk sjellin vdekje të menjëhershme.

Mjekët dyshojnë se 18-vjeçarja mund të ketë pësuar atak kardiak, gjë e cila ka rezultuar fatale për jetën e saj. Por kjo mbetet ende në kuadër të dyshimeve, pasi do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore, ajo që do të nxjerrë shkakun e vërtetë të vdekjes së gjimnazistes. Familjarët e saj kanë kundërshtuar kryerjen e autopsisë, duke fajësuar mjekët për humbjen e jetës së Gertës.

Ka qenë babai i 18-vjeçares, që ka lëshuar akuza jo vetëm për mjekët, por dhe për drejtuesit e shkollës që, sipas tij, nuk i kanë dhënë ndihmë të shpejtë vajzës. I irrituar për humbjen e vajzës dhe vonesën e ambulancës, babai i saj ka kërkuar shpjegime nga mjekët për shkakun e vdekjes.

Vetë mjekët kanë refuzuar të japin një përcaktim të prerë, duke i bërë të ditur se do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore që do t’i japë përgjigje pyetjes së tij. I ati shprehet se kishte folur me vajzën në mëngjes dhe se nuk i kishte shfaqur asnjë shqetësim.

Gerta Kasa, ishte vajzë e vetme, e rritur nga gjyshërit, pasi nëna e saj kishte ndërruar jetë vite më parë. Sipas gjyshes, ajo nuk kishte shfaqur asnjë shenjë të problemeve shëndetësore dhe se gjithçka u ka ardhur papritur.

Mësohet se 18-vjeçarja ka përshkuar një distancë të largët në këmbë për të shkuar në shkollë, gjë të cilën e bënte dhe çdo ditë. Trupi i vajzës është në morgun e spitalit ku do të kryhen ekzaminimet e nevojshme për të përcaktuar edhe shkakun e vdekjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test