Arsyeja banale e vrasjes së 8 personave në Vlorë nga Ritvan Zykaj

Vlora

Arsyeja banale e vrasjes së 8 personave në Vlorë nga Ritvan Zykaj

Më: 14 gusht 2018 Në ora: 07:59
Ritvan Zykaj

Arsyeja që shkaktoi tragjedinë e tetëfishtë në familjen Zykaj ,në Resulaj të Vlorës, duket se ka qenë konflikti për humbjen e disa pulave të detit. Një nga viktimat, Vasilika Zykaj, e ka akuzuar Ritvan Zykajn dhe vëllain e tij për vjedhjen e pulave, të cilat kishin humbur ditën që ndodhi masakra.

Të afërmit ishin mbledhur në një drekë tek shtëpia e Kujtim Zykajt, gjyshit të Ritvanit, ku janë qetësuar disi, por gjëma erdhi po atë ditë, më vonë.

Autori i masakrës është ankuar gjatë drekës se për çdo humbje akuzohej ai. Pas largimit të Ritvanit nga dreka, gjysmë ore më vonë, janë dëgjuar të shtëna armësh dhe më pas, në telefonin e djalit të hallës së tij, ka arritur një video me dy nga viktimat. Bashkëshorti i hallës së autorit i ka cilësuar shumë të rënda pamjet e regjistruara nga autori.

Dinamika e ngjarjes sipas prokurorisë:

Debati për pulat e detit – Më 10 gusht, kishte nisur një konflikt midis Vasilika Zykajt dhe familjes së Ritvan Zykajt për humbjen e disa pulave të detit. Vasilika, e cila u vra pasditen e asaj dite nga autori i masakrës, debatoi gjatë ditës me të ëmën e Rivanit, duke i akuzuar djemtë e saj për vjedhjen.

“Gjatë rrugës shtetasja Vasilika Zykaj ka kontaktuar duke folur me tone të larta me mamanë e Ritvanit, Lindita Zykaj, ku ka akuzuar dy djemtë e kësaj të fundit si autorë të vjedhjes së disa pulave të detit, vjedhje e ndodhur sipas saj, në të njëjtën ditë.

Në këtë debat ka ndërhyrë për ta qetësuar dhe shtetasi Bujar Zykaj dhe së bashku me Linditën dhe Vasilikën kanë shkuar tek shtëpia e kësaj të fundit për të sqaruar mosmarrëveshjen e nisur nga lidhja fisnore që kanë midis tyre”, thuhet në materialet e prokurorisë.

Mbledhja për drekën familjare – Ritvani së bashku me motrën e tij kanë vazhduar rrugën për tek shtëpia e Kujtimit. Shtetasi Bujar Zykaj dhe Lindita Zykaj, pasi kanë diskutuar mosmarrëveshjen me Vasilikën dhe familjarë të tjerë të Vasilikës, i kanë sqaruar se djemtë nuk kishin lidhje me vjedhjen e pulave të detit dhe për momentin mosmarrëveshja është sqaruar qetësisht. Pas kësaj, Bujari me Linditën kanë shkuar tek shtëpia e Kujtimit ku do të zhvillohej dreka.

Ritvani largohet nga dreka – Gjatë drekimit familjarisht ku edhe vet Ritvani është shprehur dhe është ankuar se shtetasja Vasilika Zykaj për çdo rast të tillë akuzonte atë me pa të drejtë. Rreth 30 minuta para se të ndodhte ngjarja, Ritvani është ngritur nga dreka dhe është larguar nga banesa e Kujtimit.

Krismat e kallashnikovit – Familjarët që mbetën pasi mbaruan drekën, kanë dalë në verandën e banesës dhe kanë qëndruar aty dhe në këtë moment kanë dëgjuar disa krisma arme zjarri, të cilat vinin nga drejtimi ku ndodhet dhe banesa e shtetasit Sadik Zykaj, por nga vendi ku ndodheshin nuk mund të saktësohej vendi se ku po gjuhej me armë. Pasi krismat kanë pushuar, shtetasi Sadik dhe Lindita Zykaj janë larguar nga banesa e Kujtimit dhe për në banesën e tyre.

Video me viktimat – Pak minuta pas largimit të prindërve të Ritvanit nga dreka, shtetasit Olardio Hoxhaj, në telefonin e tij celular, në mesingjer, i ka ardhur një video dërguar nga Ritvan Zykaj, në të cilën shfaqeshin dy persona të shtrirë në tokë në oborrin e banesës së shtetasit Demir Zykaj. Këtë video, Olardio ia tregon dajës së tij, Bujar Zykaj dhe babait të tij Spartakut, të cilët pasi e panë, Spartak Hoxhaj i tha djalit të tij ta fshinte pasi pamjet ishin të rënda. Spartaku me familjen e tij është nisur me automjet për të shkuar në shtëpi në fshatin Panaja dhe gjatë rrugës, nusja e Spartakut ka komunikuar në telefon me Sadikun, i cili në gjendje të rënduar psikologjike ka pohuar se djali i tij, Ritvani kishte vrarë me armë zjarri shtetasit Azem dhe Afërdita Zykaj. Në të njëjtën kohë, Sadik Zykaj ka komunikuar në telefon me policinë, të cilën e ka njoftuar për ngjarjen e ndodhur.

Ritvan Zykaj pranon vrasjet -I pyetur nga prokurori, i arrestuari Ritvan Zykaj e ka pranuar faktin penal dhe ka shpjeguar mekanizimin e ngjarjes. Nga shpjegimet e dhëna përpara prokurorit rezulton se vrasja ka ndodhur për motive të dobëta, duke marrë jetën e shumë personave.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat