Partizani dhe Studenti janë dy ekipet e fundit gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë në volejboll për meshkuj, të kualifikuara në përfundim të ndeshjeve të Grupit B, që i zhvilloi takimet e tij në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit. Të kuqtë e trajnerit Tlli Tomorri e mbyllën grupin në vendin e parë, duke i fituar të gjitha takimet e luajtura dhe u renditën në krye me 12 pikë të plota. Kryeqytetasit mundë me lehtësi 3-0 Skënderbeun në takimin e fundit, një sfidë e dominuar nga volejbollistët e Partizanit.
Skënderbeu kishte një fije shpresë para këtij takimi për t’u kualifikuar, por u dorëzua shpejt, duke u eliminuar. Në gjysmëfinale shkon edhe Studenti, që mundi 3-1 Teutën me përmbysje, në një takim që nisi mirë për durrsakët, por më pas në fushë dominuan kryeqytetasit. Studentit i duhej fitorja për të avancuar dhe ia doli mbanë, duke e merituar kualifikimin. Nga Grupi B u eliminua skuadra e Erzenit, që kryeson kampionatin e meshkujve në mbyllje të fazës së parë, një eliminim surprizë, pasi del nga betaj një nga ekipet pretendente.
Kupa e Shqipërisë – Meshkuj (Grupi B-Ramazan Njala)
Skënderbeu – Partizani, 0:3
Teuta – Studenti, 1:3
Renditja përfundimtare: Partizani 12 pikë (4/0), Studenti 9 pikë (3/1), Erzeni 6 pikë (2/2), Skënderbeu 3 pikë (1/3), Teuta 0 pikë (0/4).