Nisin seleksionimet për kombëtaren U-19

Volejboll

Nisin seleksionimet për kombëtaren U-19

Më: 8 janar 2018 Në ora: 10:41
Pamje nga një stërvitje

Federata Shqiptare e Volejbollit, në bashkëpunim me stafin drejtues të ekipit kombëtar U-19 për vajza, zhvilloi gjatë ditës së sotme zborin e parë seleksionues me lojtaret e kësaj grupmoshe, që do të veshin fanellën kuqezi. Në palestrën e klubit sportiv “Partizani” në kryeqytet u testuan dhe vëzhguan nga afër volejbollistet e ekipeve të kryeqytetit dhe jo vetëm. Një grup i konsiderueshëm vajzash që luajnë me ekipet e Tiranës, Partizanit, Dinamos, Duka Volley e Tirana Volley në kryeqytet si dhe nga skuadrat e Korabit, Mirditës, Besëlidhjes dhe Vllaznisë, ishin në fokusin e këtij grumbullimit.

Një mundësi e mirë për trajnerin e ekipit kombëtar U-19, Roland Tarja dhe stafin e tij, për të parë nga afër lojtaret kandidate. Ky zbor do të vijojë edhe gjatë fundjavës së ardhshme në qytetet e Krutjes (12 janar), Vlorës (12 janar) dhe Pogradecit (13 janar), ku do të vëzhgohen nga afër volejbollistet e reja që luajnë në këto qytete dhe qytetet përreth. Këto zbore, që do të vijojnë edhe në muajt në vijim, zhvillohen për të patur një ekip kombëtar të moshës U-19 të fortë dhe kompetitiv në arenën ndërkombëtare.

Siç dihet, në shtator, në Tiranë do të organizohet faza finale e Kampionatit Europian të kësaj grupmoshe, event që organizohet nga FSHV-ja dhe ku mes 12 ekipeve finaliste do të jetë edhe Shqipëria. FSHV do të mbështesë, inkurajojë dhe përkrahë të gjitha volejbollistet që synojnë të veshin fanellën e kombëtares, duke u dhënë mundësi të jenë gjithnjë në fokusin e saj. Federata i uron gjithashtu suksese ekipit kombëtar U-19 dhe stafit të saj drejtues në këtë aventurë të rëndësishme ndërkombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat