Lojtarët provokuan tifozët, FSHV apel skuadrave për “Fair Play”

Volejboll

Lojtarët provokuan tifozët, FSHV apel skuadrave për “Fair Play”

Më: 18 prill 2018 Në ora: 06:53
Pamje nga një ndeshje e Volejbollit

Federata Shqiptare e Volejbollit, përmes një komunikate për mediat të bërë publike një ditë pas finales së volejbollit për meshkuj Partizani-Erzeni, u tërheq vëmendjen skuadrave për incidentet që krijuan gjatë lojës. Në disa raste, lojtarët e të dyja ekipeve provokuan tifozeritë, e cila më pas reagoi me sharje e ofendime, veprime që nuk janë aspak të hijshme në sport. “Kjo krijoi një situatë gjaknxehtësie e nervozizmi mes palëve, e cila mund të përkeqësohej dhe të dilte jashtë kontrollit. Por, fatmirësisht, falë ndërhyrjes në kohë të stafit organizator dhe forcave të rendit, situata iu rikthyer normalitetit”, thuhet në deklaratën e FSHV-së.

Më tej, në komunikatën e FSHV-së, thuhet: “Federata Shqiptare e Volejbollit shpreh indinjatën e saj për këto sjellje të pahijshme të lojtarëve, të cilët nuk përcjellin mesazhin e “FAIR PLAY”. Ne jemi aty për të garantuar palët që të zbatojnë në mënyrë rigoroze rregulloren e brendshme, të disiplinës dhe kodit të etikës, ndaj bëjmë thirrje që situata të tilla të mos përsëriten më. FSHV falënderon të gjithë aktorët për qytetarinë e treguar si dhe ekipet për spektaklin e dhuruar në fushë”. Erzeni fitoi 3-2 finalen e parë të play off-it për meshkuj luajtur në sallën sportive “Feti Borova”, duke udhëhequr 1-0 me ndeshje ndaj Partizanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat