Blloku: Volejbollistet e Kombëtares, punë shtesë për të mbijetuar

Volejboll

Blloku: Volejbollistet e Kombëtares, punë shtesë për të mbijetuar

Më: 20 prill 2018 Në ora: 16:34
Ergysa Blloku

Ergysa Blloku, volejbollistja e Partizanit të Tiranës dhe e ekipit kombëtar të femrave, thotë se shteti ka rol shumë të rëndësishëm në lidhje me zhvillimin e një sporti, sidomos edhe të Volejbollit

E punësuar si mësuese e edukimit fizik tek një shkollë 9-vjeçare, gjithashtu edhe pedagoge tek “Albanian University”, volejbollistja e Partizanit dhe e ekipit Kombëtar të Shqipërisë në volejboll për femra, thotë se, përveç këtyre angazhimeve, “Angazhimi kryesor edhe i fundit i ditës, është dashuria e 19 viteve në karrierën time si volejbolliste.” Mund të përshkruhet me nota dramatike karriera e çdo sportisti profesionist në Shqipëri, madje edhe të atyre që përfaqësojnë ngjyrat e ekipit tonë kombëtar.

Përveç futbollit, ndoshta sportet dhe sportistët e tjerë në Shqipëri, vuajnë nga lënia në harresë dhe perspektiva që duhet të kenë. Prandaj vendi ynë nuk mund të pretendojë rezultate më të larta, se ato që janë arritur deri tani. Por thjesht t’u jetë më tepër mirënjohës disa sportistëve që mbajnë në këmbë disa nga sportet më të dashura për shqiptarë ndër vite dhe për botën e zhvilluar sot.

Në një intervistë për “Albanian Free Press”, Ergysa Blloku thotë se, “nuk varemi vetëm nga sporti fatkeqësisht dhe duhet të bëjmë patjetër një punë tjetër shtesë për të “mbijetuar”, gjë që edhe mund të na pengojë për të dhënë rezultate sa më të mira!”

E ç’mund të thuhet më tepër, përveç asaj që zbulon volejbollistja e Partizanit dhe e Kombëtares sonë:  

Ergysa, sa e vështirë është për një volejbolliste shqiptare të ndjekë pasionin, ëndrrën e saj për këtë sport që, sot, çuditërisht nuk e ka më shkëlqimin e dikurshëm?

Është shumë e vështirë, sepse ne nuk varemi vetëm nga sporti fatkeqësisht dhe duhet të bëjmë patjetër një punë tjetër shtesë për të “mbijetuar”, gjë që edhe mund të na pengojë për të dhënë rezultate sa më të mira në sportin që ne përfaqësojmë. Mbase kjo është edhe një arsye më shumë, pse sporti sot nuk ka “shkëlqimin e dikurshëm”.

E nisët karrierën te Tirana, por pas kalimit te Partizani, kjo përvojë u konkretizua me një trofe pak kohë më parë.  Nga se dallojnë dy ekipet, nisur nga përvoja juaj?

Është e vërtet që hapat e parë të karrierës, i kam te Tirana dhe jam krenare për këtë pjesë, por Partizani në fakt është ekipi i fundit që vijoj karrierën. Kam 2 vjet te Partizani,  pasi kam pasur përvoja edhe në ekipe të tjera si Studenti, Minatori i Rrëshenit, gjithashtu edhe në shtetin fqinj, Kosovë, ku kam luajtur për disa vite tek Aab dhe Drita e Gjilanit. Sa për dallimin, nuk mund të bëj ndonjë diference, sepse Tirana është ekipi i zemrës ku jam rritur dhe Partizani ekipi aktual ku jam munduar të jap më të mirën, për aq mundësi sa kam pasur të kontribuoj për këtë ekip.

Edhe në Kombëtare, volejbolli i femrave ka njohur një rritje të dukshme vitet e fundit. Çfarë mendoni se po ndikon pozitivisht në rritjen e cilësisë së volejbollit të femrave?  

Sa për rritjen e nivelit te Kombëtarja, mendoj se edhe përvoja e vajzave që luajnë jashtë, ka pasur një rol të rëndësishëm, por më kryesorja është grupi që është krijuar aty, me një shpirt garues, ku secila jep më të mirën nga vetja e saj. Pastaj dhe kushtet dhe fryma që ka sjellë kohët e fundit Federatës Shqiptare, ku gjej rastin të përshëndes Presidentin, Erlin Pëllumbi, kanë pasur ndikim pozitiv. Presidenti shoh që i ka dhënë një frymë tjetër sportit tonë, pasi është bërë një hap shumë më i madh para gjatë viteve të fundit, për rritjen e nivelit të Kombëtares sonë.

Keni luajtur me Kombëtaren ndaj ekipeve të tjera rajonale apo edhe më gjerë, por pavarësisht rritjes së cilësisë, sërish mbetemi ndoshta shumë pas tyre. Kujtojmë se, Serbia është aktualisht kampione e Europës?

Mendoj se na duhet ende më shumë e shumë punë për zhvillimin dhe për të zgjeruar sportin e  volejbollit. Por po ashtu, besoj se na duhet edhe një mbështetje akoma më e madhe, për ta rritur cilësinë dhe nivelin e sportit tonë.

Volejbolli i femrave në Shqipëri, ishte dikur sport masiv që ushtrohej kudo, ka pasur një histori të shkëlqyer në vend, ka pasur traditë. Mjafton të përmendin të kaluarën e klubit “Dinamo” apo emra të përveçëm si Ela Tase dhe Mimoza Ibrahimi. Pse u prish kjo traditë? 

Nuk mendoj se është prishur si traditë, por mendoj se është lënë pas dore nga shumë faktorë, të cilët më së shumti dihen. Nuk është rasti im mbase, për të dhënë përgjigjen e duhur për këtë pjesë.

Një profesionist në Shqipëri, arrin të dallojë më mirë rolin që ka shteti në zhvillimin e sportit. Cili është ky rol që ju keni konstatuar deri tani, në zhvillimin e volejbollit në Shqipëri? 

Në fakt, shteti ka rol jo të rëndësishëm, por madje shumë të rëndësishëm në lidhje me zhvillimin e sporteve. Ne kemi luajtur edhe jashtë dhe të flasim pastër, ndryshimi fillon që nga kushtet ku ne stërvitemi. Është për të ardhur keq, që të mos kemi të paktën kushtet më minimale për këtë pjesë. Shteti duhet të investojë më shumë në ndërtimin e sa më shumë pallateve sportive, ku të ketë edhe masivitet të lojtareve, me rritjen e masivitetit rritet dhe niveli  e fillojnë gradualisht që çdo gjë të ecë në rrugën e duhur.

Përveç volejbollit dhe kohës që u merr ky sport në stërvitje apo edhe për ndeshjet, cilat janë angazhimet tuaja të tjera?  

Aktualisht, jam e punësuar si mësuese e edukimit fizik te një shkollë 9-vjeçare, gjithashtu edhe pedagoge tek “Albanian University”. Edhe angazhimi kryesor edhe i fundit i ditës, është dashuria e 19 viteve karrierë “Volejbolli”.

Sportistët shqiptarë aspirojnë vazhdimisht të bëhen pjesë e ekipeve të huaja, sidomos ata që janë pjesë e kombëtares. A keni menduar që edhe karrierën tuaj ta vazhdoni në të ardhmen jashtë vendit? 

Është e vërtetë që çdo sportist këtë ka si synim kryesor, të luajë jashtë. Në  fakt, kam pasur disa mundësi, por nga angazhimet këtu, nuk e kam menduar gjatë diçka të  tillë, aq më tepër tani që “u plaka” (qesh)... nuk po e mendoj më largimin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat