Nikçi: Ana financiare mbetet një ndër problemet kryesore

Volejboll

Nikçi: Ana financiare mbetet një ndër problemet kryesore

Nga: Kemajl Goca Më: 30 korrik 2018 Në ora: 12:59
Valon Nikçi

Federata e Volejbollit e Kosovës ka marrë vlerësime pozitive nga Konfederata Evropiane e Volejbollit (CEV).  Valon Nikçi, sekretar i përgjithshëm i FVK-së, tha se deri me tash ka qenë një vit me shumë aktivitete sidomos që organizuan Kampionatin Ballkanik për të reja në qytetin e Gjakovës. Nikçi thotë se si brengë mbetet çështja financiare.

“Bota sot”:  FVK është në vlugun e aktiviteteve të mëdha, si e vlerësoni organizimin e Kampionatit Ballkanik për të reja, a ishte një sfidë e madhe?

Valon Nikçi: FVK-ja ka vazhduar edhe këtë vit të jetë mjaft aktive qoftë me aktivitete evropiane, gjithashtu edhe ballkanike. Organizimet e aktiviteteve ndërkombëtare janë gjithmonë sfida në vete, mirëpo FVK po arrin që më sukses ti organizoj këto aktivitete.  Aktiviteti i fundit ishte organizimi i Kampionatit Ballkanik në qytetin e Gjakovës. Dhe jo rastësisht Federata është përcaktuar që këtë aktivitet ta mbaj në Gjakovë. Ky organizim është bërë në bashkëpunim me klubin e volejbollit Vëllaznimi dhe Drejtorinë për Kulturë Rini e Sport në KK Gjakovë. Vlerësim pozitiv Kampionatit Ballkanik në Gjakovë i kanë dhënë edhe ekipet pjesëmarrëse, çka për neve është mjaft e rëndësishme, si dhe Kontrollori i Federatës Ballkanike të Volejbollit. Unë i përgëzoj të gjithë anëtarët e KV Vëllaznimi për angazhimin e tyre në mbarëvajtjen e Kampionatit Ballkanik.

“Bota sot”: A ishte një notë pozitive për faktin se krahas Kampionatit Ballkanik, para pak jave u organizuar edhe Liga e argjendte e Evropës?

Valon Nikçi: Gjithsesi se është notë pozitive për faktin se Federata në vazhdimësi është në organizim të aktiviteteve ndërkombëtare të volejbollit dhe jo vetëm, në muajin gusht nga 3-5 gusht do të organizohet Kampionati Ballkanik U-20 për meshkuj dhe femra. Është hera e dytë që ky kampionat po mbahet në Kosovë. Këtë vit do të organizohet në Holiday Resort në Sllatinë (rruga Pejë Prishtinë).

“Bota sot”: Merret vesh se Federata evropiane ka vlerësime pozitive për FVK-në, çfarë iu duhet më shumë në të ardhmen?

Valon Nikçi: Po, është e vërtetë që Konfederata Evropiane ka vlerësime pozitive rreth FVK-së. Këtë vlerësim na e ka konfirmuar vetë Presidenti i CEV-it në një takim jo-formal të cilin e kemi patur muaj më parë në Shkup. Gjithashtu ai na ka inkurajuar që të vazhdojmë më tutje duke llogaritur edhe në mbështetje të CEV-it nëpërmjet projekteve të ndryshme. Me siguri se ne do të shqyrtojmë mundësitë që së bashku me Komisionin për Zhvillim të hartojmë projekte konkrete për zhvillimin dhe avancimin e volejbollit dhe beach volley-it.

“Bota sot”:  Si shume federata tjera që ballafaqohen me probleme të ndryshme, a ka qenë e përballueshme ana financiare për organizimin e këtyre ngjarjeve të mëdha?

Valon Nikçi: Ana financiare mbetet një ndër problemet kryesore në organizim të Federatës, sidomos vonesat që bëhen nga ana e MKRS-së, mirëpo ne shpresojmë që këto vonesa të evitohen dhe gjendja të përmirësohet. Pas  miratimit të Ligjit për sponsorizime tani Federata është në bisedime edhe me disa sponsor dhe shpresojmë që shumë shpejt të kemi edhe ndonjë lajm të mirë në këtë drejtim.

“Bota sot”:  Rezultatet e kombëtareve janë zhgënjyese, a duhet klubet që ta rrisin nivelin e punës apo është një gjeneratë e re dhe e papërvojë?

Valon Nikçi: Unë nuk kisha me thënë që rezultatet janë zhgënjyese! Me siguri që nuk jemi të kënaqur me rezultatet por mos të harrojmë që ne jemi duke marrë pjesë vetëm që dy vite në gara ndërkombëtare, përballë shteteve mjaft të forta dhe që kanë kontinuitet në gara ndërkombëtare, qoftë në gara ballkanike apo evropiane. Është mirë që të jemi ambicioz gjithmonë mirëpo ambiciet duhet të jenë reale! Unë mendoj që kombëtarja është pasqyra e punës që bëhet në klube dhe me siguri që klubet duhet ta rrisin nivelin e punës profesionale. Federatës i mbetet të organizoj më shumë ndeshje miqësore që kombëtaret të jenë sa më të përgaditura në fazën e garave. Në këtë mënyrë do të krijojmë edhe përvojën ndërkombëtare dhe atëherë nuk do të mungojnë edhe rezultatet.

“Bota sot”: Ku duhet më shumë që të përqendrohet sporti skofiar që ta rrisë nivelin e lojës?

Valon Nikçi:

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të martën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot” në Kosovë)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat