Cilat ekipet janë me telashe në volejboll?

Volejboll

Cilat ekipet janë me telashe në volejboll?

Nga: Kemajl Goca Më: 6 gusht 2018 Në ora: 13:18
Ilustrim

Debate

Volejbolli si shumë sportet të tjera po kalon sikurse nëpër teh të shpatës sepse shumica e klubeve ballafaqohen me  vështirësi financiare. Megjithatë edicioni i ri në Superligën e femrave disa do t’i gjejë shumë mirë të përgatitura e disa të arnuara ashtu si munden.  Disa nga klube kërkojnë titullin apo të paktën edhe Kupën, disa të ikin nga fundi i renditjes ose edhe të jenë pjesë e garave përfundimtare. Klubi i volejbollit Kastrioti nga Ferizaj (femrat), si fitues i Kupës ka më së paku telashe nga katër klubet e mëdha, ka një strukturë të lojtareve të reja dhe mjaftë me perspektiv dhe sigurisht se këtë përbërje edhe do ta ruaj për këtë sezon sportiv. Ende nuk është qartë se a do ta vazhdoj karrierën edhe këtë vit lojtarja më me përvojë në Superligë Vildane Jashari. Prezenca e saj ne ekip shton gjasat për titull duke marr parasysh përvojën dhe rolin që luan ne ekip.  

Ekipi që ka më së shumti trofe nga paslufta e këndej Prishtina Volley F ( ish Mabetex, pastaj kolegji AAB ) me siguri se do të mundohet ta kthej namin e dikurshëm sepse nga viti 2015 nuk ka fituar asnjë titull si dhe Kupë të Kosovës, por duke u bazuar në strategjinë dhe punën që bënë stafi udhëheqës i skuadrës, priten prurje me elemente të reja.

Edhe ky ekip do të ketë mungesë në rolin e pranueses, rol që shumë vite e kishte Shqipe Kçiku e cila i tha lamtumiren volejbollit si lidere e ekipit dhe kapitene. Kurse përbërja e kësaj skuadre siç po duket në bazë do të jetë me lojtare të njëjta por me synime të qarta. Nga ekipet e tjera vlen të veçohet KV Prishtina Femrat e cila ka bërë një pompozitet të madh në media sa i përket organizimit të klubit pas rikthimit në Superligë. Ekipi është në kërkim te lojtareve të kualitetit te lartë nga shtetet e tjera, si dhe përforcimi eventual me disa lojtare cilësore edhe vendore. Ekipi  i Drenasit është në fazë të riorganizimit të skuadrës me lojtare nga ekipet e tjera si dhe e ka të vështirë nëse nga skuadra largohen dy lojtaret më të mira të saj, si  Mujaj dhe Kurrumeli që janë në shënjestër të katërshes së madhe të klubeve të Superligës. 

Ekipi i Grykës dhe ekipet e tjera kanë paralajmëruar që do  të përforcohen me lojtare më të reja nga klubet e tjera të ligës së parë dhe Superligës, si dhe ndonjë lojtare nga Shqipëria. Ekipet e tjera që kanë qenë në fund të tabelës në kampionatin e kaluar kanë telashe të mëdha në ruajtjen e bërthamës së skuadrës, duke marr parasysh se shumë nga lojtaret më të mira të tyre kanë shpreh interesim të gjejnë skuadra të tjera për kampionatin në vijim. Fund

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat