Hajdaraj: Vlera e volejbollit në Kosovë matet me Pejën

Volejboll

Hajdaraj: Vlera e volejbollit në Kosovë matet me Pejën

Nga: Kemajl Goca Më: 4 shtator 2018 Në ora: 10:40
Bardhyl Hajdaraj

Disa klube përgatiten me ritëm të shtuar e disa ende nuk i kanë nisur përgatitjet për edicionin e ri në Superligën e Kosovës në volejboll (meshkujt). Bardhyl Hajdaraj, volejbollisti më i mirë në vendin tonë, reprezentuesi i Kosovës, ka treguar arsyet përse vendosi të mbetet në Pejë. Hajdaraj luan në pozitën e korrektorit, i cili tregon se cilat skuadrat mund të jenë në luftë për titullin e kampionit dhe edhe sa do të jetë si lojtar aktiv, pasi tani e vlerëson veten edhe si veteran.

“Bota sot”: Vendoset edhe për një edicion me Pejën, cilat janë arsyet?

Bardhyl Hajdaraj: Përkundër ofertave joshëse te disa skuadrave nga Kosova, unë i kam qëndruar besnik skuadrës së Pejës, ani çka që ndoshta nuk e meritojnë, por ka njerëz aty që më shumë e dojnë qëndrimin tim se sa që ka jashtë klubit tonë që me donë mua në skuadrën e tyre. Arsyet janë të shumta por që më kryesorët është puna e përbashkët që kemi me bë në Evropë dhe tjetër klub në Kosovë nuk më plason këtë gjë! Besimi reciprok dhe vlerësimi real që me bëjnë ata karshi klubeve tjera.

“Bota sot”: Prishtina Volley e përforcuar, në anën tjetër Luboteni, a mendoni se do të jetë një rivalitet i fortë për titull?

Bardhyl Hajdaraj: Sigurisht që po! Prishtina është përforcuar mjaftushëm sa për t’u bërë rivali kryesorë me Lubotenin kundër neve, që përsëri mbesim skuadra për t’u mundur. Ne kemi ruajt organikën e vitit të kaluar sa i përket lojtarëve vendorë dhe do të mundohemi që ardhjet nga jashtë të jenë të njëjta ose edhe më të forta se sa vitin e kaluar. Ka pas edhe dy rikthime në klubin amë të lojtarëve vendorë, gjë që do të ndikoj drejtpërdrejt negativisht të skuadrat kundërshtare.

“Bota sot”: Keni përvojë të gjatë në volejbollin tonë, çfarë i duhet më shumë këtij sporti skofiar?

Bardhyl Hajdaraj: Unë kësaj sezone po i futem si veteran i këtij sporti, që e luaj nga viti 2003 dhe është sezoni i 16-të, nuk me mungojnë as përvojat e mira as te këqija por që ndryshime për të mirë ka dita ditës në volejbollin tonë edhe pse vazhdon të jetë sport i varfër në cilësi dhe në anën materiale, në anën tjetër FVK e ka shfrytëzuar shumë mirë trampolinën që i është ofruar nga federata botërore dhe pak ka federata në Kosovë, që kanë bërë punë më të mirë këto dy - tri vite se sa federata jonë.

“Bota sot”: Edhe sa vitet do të jeni lojtar aktiv?

Bardhyl Hajdaraj: Për sa do ta kem shëndetin dhe mundësinë fizike për ta luajtur këtë sport, unë do të jem pjesë e volejbollit tonë. Karriera ime sapo ka filluar dhe mendoj ta shfrytëzoj edhe disa vite trupin tim.  Unë e dua këtë sport edhe ja dua të mirën, kështu që shpresoj të kalohet niveli im nga dikush tjetër edhe të kem sa më shumë rival, në aspektin sportiv flas.

“Bota sot”: Si e sheh Pejën në edicionin e ri në përgjithësi, çfarë mund ta dallojë nga skuadrat tjera?

Bardhyl Hajdaraj: Gjë që këto vite nuk po ndodh edhe do të mundohem ta pengoj edhe në vitet në vazhdim, Pejën gjithmonë unë e shoh kampion edhe përkundër vështirësive që e kanë përcjell gjithmonë deri në fund. Prapë fjalën kryesore e ka Peja. Ka rivalitet edhe këtë vit edhe nuk ka ndonjë çudi nëse skuadra e Pejës nuk do të dal kampion megjithatë vlera e volejbollit në Kosovë matet me Pejën në aspektin kolektiv dhe me mua në aspektin individual! Shpresoj që punën e mirë të FVK-së ta arsyetojmë ne volejbollistët dhe klubet tona.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat