Periudha e viteve të 90-ta nuk do të shlyhet kurrë nga kujtesa e secilit shqiptar për terrorin që përjetuan nga pushtuesi serb. Në vitin 1998-1999 Kosova përfshihet në flakët e luftës, ku u vranë e u zhduken me mijëra shqiptarë, ndërsa ka pasur edhe shumë sportistë të vrarë.
Sanije Rexhepi njihet për kontributin e dhënë për çështjen kombëtare, duke ndihmuar me mjete medicionale dhe gjëra ushqimore Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ajo me 2 qershor të vitit 1999 u masakrua nga forcat serbe. Sanija ka qenë volejbolliste e klubit Iliria nga Lloshkobarja, fshat që gjendet në kilometrin e tretë të qytetit të Ferizajt rrugës për në Prizren. Një emër që duhet të kujtohet dhe nderohet edhe nga institucionet sportive komunale në Ferizaj po ashtu edhe nga Federata e Volejbollit e Kosovës.
Duhet të mbajmë turneun përkujtimor për çdo vit në shenjë të nderimit të Dëshmores dhe ish volejbollistes tonë. Ajo kontribuoi shumë për çështjen kombëtare dhe sot FVK-ja ja ka borxh që çdo vit të organizojë turneun e volejbollit për Sanijen. Ta kujtojmë, se kjo fotografi ku shihet Sanija e rrumbullakuar me vijë të bardhë, së bashku me KV Iliria është gjatë muaji tetor të vitit 1994.