​Gjakova kërkon medalje në Botërorin e Xhudos, thotë se pa Tonin nuk do të ishte kampion

Xhudo

​Gjakova kërkon medalje në Botërorin e Xhudos, thotë se pa Tonin nuk do të ishte kampion

Më: 1 janar 2024 Në ora: 10:17
Akil Gjakova

Shpalljen kampion të Evropës në evropianin që u zhvillua në muajin dhjetor të vitit të kaluar në Prishtinë, Akil Gjakova e konsideron si garën më të mirë të tij në karrierë.

Ai thotë se të garuarit para publikut kosovar i ka dhënë emocione të veçanta dhe motiv shtesë për të dhënë maksimumin.

Gjakova: Evropiani në Prishtinë ishte gara më e mirë në karrierën time

“Ky është Kampionati Evropian i parë që është mbajtur në Kosovë edhe i një versioni të ri, kampionat i hapur deri në 73 kilogramë dhe deri në 57 kilogramë për femra. Unë do ta cilësoja si garën më të mirë në karrierë deri më sot dhe emocion duke marrë parasysh që kam garuar para publikut vendor dhe në shtetin tim. Çdo gjë ka qenë e veçantë, kështu që për mua ka qenë një ditë fantastike”, tha Gjakova.

Në një intervistë për KosovaPress, Akili thotë se gjysma e parë e vitit 2023 nuk shkoi aspak mirë, por pastaj ai pati ngritje të formës dhe si rezultat arriti të sigurojë tri medalje.

Gjakova: 2023 ishte vit i medaljeve për mua

“Deri vonë ka qenë viti më i keq ndoshta, gjysmën e parë të vitit, por më pastaj në tri garat e fundit që kam marrë pjesë, në të tri kam marrë medalje, edhe në Kampionat të Evropës në Francë që është mbajtur, jam “bërë” i bronztë edhe në Kampionat të Evropës në Kosovë, po ashtu kam arritur të fitoj medalje në Grand Slam në Abu Dhabi. E kam siguruar edhe normën olimpike, ku deri tri apo katër muajve isha jashtë normës olimpike, tani jam brenda dhe i sigurt, kështu që po mendoj që gjysma e vitit ishte e keqe, tani jam perfekt”, theksoi Gjakova.

“Kosova është këtu”, ishin fjalët e Akilit kur u shpall kampion i Evropës në Prishtinë, mesazh ky përmes të cilit ai thotë se tregoi qëllimin e tij që e kishte nga fillimi që të dëgjohej himni i Kosovës para të gjithëve në fund të asaj gare.

Gjakova: Me çdo kusht synova që himni i Kosovës të dëgjohet në vendin tonë

“Mesazhi ishte sepse ne ishim duke garuar në vendin tonë dhe të gjithë aty shkuam për ta lartësuar himnin e Kosovës, kështu që mundësinë e kisha unë, sepse shkova në finale. Për një moment u ndjeva i kënaqur që shkova në finale. Më pastaj thashë që himni duhet të lëshohet, të dëgjohet në Kosovë dhe mendoj se ajo më ka dhënë motiv më të madh për ta bërë luftën si duhet dhe prej saj mendoj që më erdhi ajo ‘Kosova është këtu’. E bëra luftën me qëllim që himni i Kosovës të dëgjohet në vendin tonë”, deklaroi Gjakova.

Por, Akili nuk do të ndalet me kaq teksa zbulon synimet e tij për vitin 2024.

Gjakova: Tani synoj medalje ne Botërorin e Xhudos

“Sigurisht që motivi është shtuar edhe po mendoj të punoj edhe më shumë dhe sigurisht që në Tokio po mendoj të triumfoj me medalje. Po ashtu, edhe në Kampionat Botëror. Synimi kryesor është Kampionati Botëror dhe Lojërat Olimpike”, theksoi Gjakova.

Prapa këtyre sukseseve, Akili thotë se qëndron vetëm një emër dhe ai është trajneri Driton Kuka.

Gjakova: Pa Driton Kukën, nuk do të isha këtu

“Jam shumë krenar për trajnerin tim Tonin (Driton Kuka), po ashtu edhe me punën e Majlindës. Mendoj që po të mos ishte sistemi i Tonit kështu si është, unë ndoshta sot, jo ndoshta, por nuk do të isha këtu. Shumë herë pas dëshpërimeve të mëdha më ka kthyer pas dhe më ka dhënë motiv dhe më ka përkrahur. Pas shumë problemeve, Toni ishte ai që ka mundur ta menaxhoj situatën dhe më ka kthyer sërish në rrugën e duhur. Mendoj që po të mos ishte puna e Tonit si duhet dhe sistemi i tij, shumë sportistë, shumë xhudistë edhe shumë suksese sot do të kishin munguar”, deklaroi Gjakova.

Në Evropianin e Xhudos, i suksesshëm u treguan edhe xhudisti Dardan Cena, i cili rrëmbeu medaljen e bronztë. Akili thotë se Dardanin e sheh si vëllain e tij të vogël dhe se është i bindur se ai do të ketë suksese në të ardhmen.

Gjakova: Dardan Cenën e shoh së vëllain tim të vogël

“Dardan Cenën e kam partner, punojmë bashkë, gjithmonë e kam parë si vëllain më të vogël. Jam gëzuar tej mase për të, dhe shpresoj se do të vazhdojë të punojë kështu, dhe pritet shumë prej tij. Është një talent shumë i mirë dhe mendoj se do t’i ndjekë hapat e duhur”, tha Akil Gjakova.

Ndryshe, kjo ishte hera e parë që në Kosovë u organizua një garë kaq e madhe e sportit të xhudos, siç ishte Kampionati Evropian, ndërsa pritet që Federata e Xhudos të aplikojë edhe për organizime të tjera të këtij niveli. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat