​Kuka nuk ‘ngopet’ me trofe në xhudo, kërkon medalje edhe në olimpiadë

Xhudo

​Kuka nuk ‘ngopet’ me trofe në xhudo, kërkon medalje edhe në olimpiadë

Më: 7 janar 2024 Në ora: 10:32
Driton Kuka

Ashtu siç tashmë është bërë e zakonshme, edhe viti 2023 ishte kulminant për sportin e xhudos, i cili i solli Kosovës medalje elitare të njëpasnjëshme, por synimet e trajnerit Driton Kuka janë gjithnjë e më të mëdha.

Ai në një intervistë për KosovaPress e konsideron se viti 2023 ishte vazhdimësi e rezultateve kulminante në sportin e xhudos, diçka që po bëhet tash e 11 vjet radhazi.

Kuka: Për 11 vjet radhazi xhudo sjellë medalje elitare në Kosovë

“Faktikisht, një vazhdimësi e rezultateve kulminante ka vazhduar edhe sivjet. Tani e 11 vite xhudo fiton medalje elitare në kampionate evropiane, botërore, Lojëra Olimpike, por pothuajse asnjë vit nuk ka kaluar pa rezultate elitare. Ky vit karakterizohet me shumë gara të nivelit elitar për shkak të kualifikimeve olimpike. Do të thotë është viti i cili ka plot 12 muaj gara të kualifikimit olimpik. Kualifikimi ka filluar në qershor 2022, vazhdon deri në qershor 2024, kështu që ky vit ka qenë më i rëndësishmi në këtë drejtim edhe i kemi pesë norma olimpike, katër garues janë të kualifikuar 100 për qind, Loriana Kuka është brenda normës olimpike, por duhet ende punë, sepse është në fund të ranglistës olimpike të të kualifikuarve”, tha Kuka.

Kulminacioni i rezultateve pozitive gjatë vitit të kaluar u arrit në evropianin e xhudos në Prishtinë, ku Akil Gjakova rrëmbeu medaljen e artë. Trajneri Kuka thotë se aty u pa një paraqitje e mrekullueshme e xhudistëve të Kosovës.

Kuka: Veç anës sportive, mposhtëm edhe ata që nuk ia duan të mirën Kosovës

“Ndërsa, sa i përket rezultateve të tjera, e kemi pasur një paraqitje të mirë në botëror, katër medalje në Kampionatin Evropian të mbajtur të rregullt në nëntor në Francë dhe një performancë e jashtëzakonshme, ose siç unë kam dëshirë ta quaj “të çmendur” të ekipit tonë para shikuesve tanë, në kryeqytetin tonë, një organizim jashtëzakonisht i bukur, i mirë, i madh, në të cilin unë pothuajse nuk kam dhënë kontribut për shkak se detyra ime ka qenë që të përgatitem me ekipin në mënyrë që performanca jonë të jetë këtu ku të gjithë e presin...Po mendoj që përveç anës organizative ku kanë marrë pjesë 27 shtete, e shumë shtete jo njohëse me superyjet e tyre, flet shumë që kjo përveç anës sportive është një promovim i jashtëzakonshëm i shtetit tonë, një luftë e madhe për t’i mposhtur paragjykimet që janë për shtetin tonë dhe këto paragjykime vijnë gjithmonë prej atyre që nuk ia duan të mirën vendit tonë, armiqve tanë edhe faktikisht i kemi mposhtur edhe në atë drejtim”, theksoi Kuka.

Më tutje, Kuka zbulon se kryetari i Federatës Evropiane të xhudos ka shprehur gatishmëri që Kosovës t’ia besoj organizmin e kësaj ngjarje edhe për dy vitet e ardhshme.

Kuka: Federata Evropiane e Xhudos, e gatshme të na e besoj sërish një ngjarje të tillë

“Kanë shkuar prej këtu me impresionet më të mira të mundshme dhe pikërisht kjo është fitorja më e madhe, jo vetëm e sportit të xhudos, sepse kjo i tejkalon. Kjo është fitore e madhe e shtetit të Kosovës, imazhit, një populli të shtypur, të shkelur, por që tani po i tregon vlerat e veta në çdo aspekt. Patjetër, në po atë natë, kryetari i Federatës Evropiane ka kërkuar nëse dëshironi ne do ta nënshkruajmë kontratën tash e dy vite ta mbajmë prapë garën e njëjtë në Kosovë, kështu ata që atë natë kanë qenë të gatshme ta nënshkruajnë një marrëveshje tash e për dy vite për organizimi e një gare të këtij niveli kështu që kjo flet shumë”, bëri të ditur Kuka.

Përveç Akilit, medalje në Evropianin e Xhudos fitoi edhe Dardan Cena, i cili rrëmbeu të bronztën. Sipas Kukës, Cena ishte befasia më e madhe e këtij kampionati.

Kuka: Dardan Cena ishte befasia e Kampionatit Evropian

“Pikërisht, Akili dhe Dardani kanë bërë befasi. Realisht, për Akilin kam pritur që do të futet në zonën e medaljeve, por medalja e bronztë e Dardanit mund të quhet befasia e kampionatit. Të tillë e kanë quajtur edhe Federata Evropiane, të tillë e kanë quajtur të gjithë njohësit e xhudos. Dardani është një potencial i madh, një 20-vjeçar, i cili ka ardhur tash e gjashtë apo shtatë vjet nga Prishtina për të jetuar në Pejë, për t’iu përkushtuar sportit të xhudos, dhe rezultatet po shihen. Vitin e kaluar ka fituar medalje në konkurrencën e juniorëve deri në 21- vjeç, por medalja për senior është diçka tjetër”, tha Kuka.

Ai komentoi edhe mesazhin e Akil Gjakovës “Kosova është këtu” duke deshifruar qëllimin që donte shprehte për mes tij.

Kuka: Mesazhi i Akilit ishte që medaljet elitare mbesin në Kosovë

“Po mendoj që këto i kanë buruar Akilit në moment aty në çast, sepse luftërat kanë qenë shumë të forta e të jashtëzakonshme. Mendoj që Akili me këtë ka dashur të jep një mesazh që Kosova ju pret, Kosova ju mirëpret. Ne dimë të jemi të mirë, por fitoret edhe medaljet e arta mbesin këtu. Në fakt, për meshkuj ka mbetur në Kosovë dhe pikërisht kjo e ka bërë ndoshta gjithë këtë ngjarje edhe gjithë triumfin e tij shumë origjinal, shumë të këndshëm për popullin”, u shpreh Kuka.

Por, përtej këtyre sukseseve, Kuka thotë se u ka kërkuar xhudistëve të qëndrojnë ‘me këmbë në tokë’, sepse nga ta pret medalje edhe në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.

Kuka: Tani nisim punën për olimpiadën 2024, synojmë medalje elitare në Paris

“Unë të them të drejtën pas garës, pas dy stërvitjeve pak më të lehta, me intensitet më të lehtë, iu kam kërkuar seriozitet, punë dhe të qëndrojnë me këmbë në tokë, sepse na pret olimpiada. Po shpresoj shumë që të jetë olimpiada e tretë me radhë ku ne do të kthehemi me medalje, së paku me një medalje, unë mendoj që ky ekip e meriton. Nuk dua të flas për ngjyrën e medaljes, nuk dua të flas për numrin e medaljeve, por do të kisha shumë dëshirë që edhe nga kjo olimpiadë të kthehemi me medalje. Mandej të shohim tutje, ndoshta do t’iu jap më shumë përgjegjësi trajnerëve që po vijnë, në mënyrë që ne të shtrihemi edhe horizontalisht”, tha Kuka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat