Kuka: Atmosfera është më e veçantë për sfidën në Abu Dhabi!

Xhudo

Kuka: Atmosfera është më e veçantë për sfidën në Abu Dhabi!

Nga: Kemajl Goca Më: 26 tetor 2018 Në ora: 18:11
Driton Kuka, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe Agron Kuka

Gjithçka është e gatshme për garën e madhe ‘Grand Slam’ në xhudo, që mbahet nga nesër e deri me 29 tetor në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe. Kombëtarja e Kosovës me tri xhudiste e një xhudist synon më të mirën në këtë garë prestigjioze. Krenaria e sportit tonë, kampionia olimpike Majlinda Kelmendi (-52 kg), pas 14 muajsh pauze (shkaku i një lëndimi) i kthehet betejave. Majlinda është e përgatitur maksimalisht së bashku me Nora Gjakovën (-57 kg), Distria Krasniqin (-48 kg) dhe Akil Gjakovën (-73 kg.).

Përzgjedhësi i kombëtares tonë, Driton Kuka, është i kënaqur me atmosferën dhe me formën e garuesve të tij. Kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës,  Agron Kuka, tha se garuesit janë mirë të përgatitur për këtë sfidë të madhe.

“Kësaj here atmosfera është më e veçantë shkaku se pas 14 muajsh pjesëmarrëse është edhe kampionia jonë Olimpike Majlinda Kelmendi, të gjithë si garuesit e po ashtu edhe ne sytë i kemi të kthyer kah ajo!”, thotë Kuka për gazetën kombëtare “Bota sot”.  Përgatitjet kanë shkuar sipas planit dhe secilit garues është në formën më të mirë. “Sa i përket përgatitjeve gjithçka ka shkuar sipas planit dhe ekipi vetëm sa është kthyer nga një përgatitje dyjavore që ka rrjedhur në mënyrën më të mirë të mundshme”, theksoi ai.

Më tutje Kuka shprehet se nuk do të ishte befasi që Kosova të kthehet me më shumë se një medalje.  Ai është optimist se garuesit tanë do të tregojnë paraqitje shumë të mira. “Duke e ditur se tani çdo garë e këtij niveli luftohet për pikë olimpike natyrisht se gara do të jetë shumë e fortë, por kam besim të plotë se Kosova në këtë garë do të ketë përformancë të mirë dhe natyrisht të kthehet me ndonjë medalje! Nuk do të ishe befasi nëse ekipi ynë të kthehet me më shumë se një medalje!”, thotë Kuka.  Majlinda, Nora dhe Distria do të garojnë të shtunën, ndërsa Akili të dielën.  Garuesit tanë në Abu Dhabi, janë të ambientuar mjaft mirë dhe të motivuar për garën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat