Zvicër, shkelet me veturë për vdekje 19-vjeçarja shqiptare nga Maqedonia

Zvicra

Zvicër, shkelet me veturë për vdekje 19-vjeçarja shqiptare nga Maqedonia

Më: 7 nëntor 2017 Në ora: 20:45
Zvicër

Një aksident fatal ka ndodhur në rrugën “Hendschikerstrasse” në Lenzburg të Kantonit Aargau. Mbrëmjen e së hënës, një pensionist zviceran 80-vjeçar, me veturën e vet e ka goditur pa frenuar fare shqiptaren nga Maqedonia, Elida Osmani (19). Vajza e re ka qenë duke kaluar nëpër vendkalimin e rregullt për këmbësorë, kur papritmas e godet zvicerani 80-vjeçar.

Nga goditja e fuqishme, vajza tashmë e ndjerë është shtyrë për disa metra në asfalt, duke pësuar lëndime të rënda trupore dhe në kokë. Pas arritjes së ekipit të shpëtimit në vendngjarje, ajo nuk ka qenë e aftë të flasë, shkruan “Blick”, përcjellë shtegu. Pas pak kohësh, praktikantja e Migrosit nuk u mbijetoi plagëve të marra. Për familjen shqiptare jeta më nuk ka kuptim.

I vetmi që mund të shqiptojë ndonjë fjalë është kushëriri i saj, Bedri Asani (34), i cili me lot në sy pohon: “Ishte aq vajzë e lumtur. Buzëqeshja e saj do të mbetet e pavdekshme!”. “Elida ishte duke u kthyer në shtëpi me autobus nga vendi i saj i praktikës, nga Migrosi në Cyrih. Paraprakisht ajo ka biseduar në telefon me nënën e saj dhe i kishte thënë se së shpejti do të kthehet në shtëpi”, është shprehur Asani. Por, atje nuk arriti asnjëherë, familja kot e priti. “Babai i saj i brengosur, shkoi për ta kërkuar dhe në stacionin e autobusëve kishte vërejtur ekipet e shpëtimit. Menjëherë i shkoi mendja te më e keqja. Ai vrapoi në vendngjarje dhe për herë të fundit e mori Elidën në përqafim”.

Ekipet e shpëtimit u munduan me çdo kusht ta shpëtojnë vajzën e re, por pa sukses. Ajo ndërron jetë në ora 01.19 në spital. “Prindërit e Elidës janë buzë greminës. Aktualisht janë nën ndikim të konsumimit të medikamenteve. Elida ka edhe një vëlla, i cili gjithashtu është tronditur nga ngjarja”, përfundon kushëriri. Vozitësi i automjetit është rrëqethur nga ngjarja, ndërsa policia zvicerane është duke hetuar rastin. Ndaj pensionistit zviceran është urdhëruar kontrolli i gjakut dhe urinës, por edhe i është konfiskuar patenta e shoferit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat