Kameruni synon të rrisë prodhimin e kafesë

Afrika

Kameruni synon të rrisë prodhimin e kafesë

Më: 22 prill 2019 Në ora: 07:46
Kamerun

Kameruni ka qenë dikur vendi i 12-të në botë për prodhimin e kafesë, por tani ndodhet në vend të 31-të, pasi prodhimi ka rënë nga 156,000 tonë në 1990 në 25,000 tonë në ditët tona. Destinacioni kryesor për kafenë e prodhuar në Kamerun është tregu global, por tani synimi është të rritet konsumi brenda vendit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Moki Edwin Kindzeka na njeh me festivalin vjetor të kafesë në Yaoundé.

Vizitorët vijnë për të provuar varietet vendase Robusta dhe Arabica në mjediset e festivalit në qendër të kryeqytetit.

"Po provoj kafenë që ndoshta do ta pi nesër si konsumator. Mendoj se ka shije shumë të mirë,” thotë një vizitor në festival.

Aktiviteti i përvitshëm Festicoffee, synon të nxisë popullatën prej 24 milionë vetësh të Kamerunit që të shtojnë konsumin e kafesë në mënyrë që të rritet prodhimi.

"Nëse rritet konsumi i kafesë do të rritet edhe prodhimi në vend. Do të prodhojmë më shumë nëse bindim këtë treg të madh në vend të pinë më shumë kafe,” thotë ministri i tregtisë.

Dikur Kameruni ishte ndër prodhuesit më të mëdhenj në botë të kafesë. Por prodhimi ra nga niveli rekord prej 156,000 tonësh në 1990 në 25,000 tonë në ditët tona.

Analistët e këtij sektori fajësojnë rënien e çmimit të kafesë për uljen e prodhimit.

"Duhet ta gjejmë zgjidhjen e problemit tek tregu i brendshëm. Duhet ta bëjmë kafenë pjesë të rutinës së përditshme. Nuk e di përse njerëzit sillen sikur kanë frikë nga kafeja që prodhon vendi i tyre,” thotë Pierre André Junior, drejtor i një fabrike kafeje.

Kameruni, një ndër prodhuesit më të mëdhenj të kafesë në Afrikë po përpiqet të rrisë eksportin edhe në rajon.

"Do të rrisim përpjekjet për eksport në Nigeri, Gabon, Kongo dhe Çad. Këto janë tregje me potencial dhe mund të blejnë 90% të kafesë që prodhon Kameruni. Tregu vendas aktualisht konsumon vetëm 10% të prodhimit tonë,” thotë zoti Pierre André Junior.

Autoritetet kamerunase shpresojnë të ndryshojnë preferencat vendase dhe po nxisin 300 mijë punonjësit e sektorit shtetëror të pinë më shumë kafe.

Tema e festivalit të sivjetshëm të kafesë është “Të Veprojmë në të Mirë të Kafesë Kamerunase”./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat