Gjykata kishte injoruar ankesat e ish presidentit Morsi për shëndetin e tij

Afrika

Gjykata kishte injoruar ankesat e ish presidentit Morsi për shëndetin e tij

Më: 18 qershor 2019 Në ora: 21:50
Mohamed Morsi

Dy vjet më parë, presidenti i parë i Egjiptit i zgjedhur në mënyrë demokratike, Mohamed Morsi, i cili dje ndërroi jetë në sallën e gjykatës, ishte ankuar se nuk ndihej mirë me shëndet, por gjykata shpërfilli paralajmërimin e tij, raporton  (AA).

 Në një seancë gjyqësore më 6 maj të vitit 2017, Morsi kërkoi takim me avokatin dhe pjesëtarët e familjes së tij të cilët nuk i kishte takuar prej rreth katër muajsh, duke theksuar se ekzistonin disa “situata që rrezikonin jetën e tij” dhe se për këtë çështje dëshironte të bisedonte me avokatin.

I biri i Morsit, Abdullah, në një deklaratë pas seancës, kishte njoftuar se babai i tij është ankuar për disa situata të cilat ia rrezikojnë jetën gjatë “gjykimit të paligjshëm”, por se gjykata nuk e ka marrë parasysh çështjen. Ai po ashtu kishte theksuar se për gjendjen e babait të tij, të privuar nga liria nga 3 korriku i vitit 2013, përgjegjëse është qeveria e Egjiptit.

Ndërkaq, gjatë muajit të Ramazanit këtë vit, familja e tij në një deklaratë me shkrim u ankua se Morsi mbahet i vetëm në qeli në mënyrë të paligjshme dhe se nuk kanë informacione mbi gjendjen e tij shëndetësore.

Familja e tij po ashtu është shprehur se masat e zbatuara ndaj Morsit paraqesin shkelje të së drejtës në Egjipt dhe në gjithë botën.

Ndryshe, 67-vjeçari Morsi humbi jetën dje në një seancë gjyqësore në të cilën përballej me një sërë akuzash që kur u rrëzua dhe u burgos pas puçit ushtarak në vitin 2013. Ai u varros në lindje të Kajros në orët e hershme të mëngjesit të sotëm nën masa të forta të sigurisë dhe në prani vetëm të anëtarëve të familjes së tij dhe avokatëve.

Morsi, si anëtar kryesor i Vëllazërisë Muslimane të Egjiptit, në vitin 2012 fitoi zgjedhjet e para të lira presidenciale në Egjipt.

 Pas vetëm një viti në detyrë, ai u rrëzua dhe u burgos me një grusht shteti të përgjakshëm ushtarak të udhëhequr nga ministri i atëhershëm i Mbrojtjes dhe presidenti aktual, Abdel Fattah al-Sisi. Morsi u dënua me 48 vjet burgim gjithsej në katër nga gjykimet e hapura kundër tij, ndërkohë që vazhdonte procesi i gjykimit në dy raste të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat