Arkeologët zbulojnë 20 arkivole antike në Egjipt

Afrika

Arkeologët zbulojnë 20 arkivole antike në Egjipt

Më: 16 tetor 2019 Në ora: 11:49
Foto ilustrim

Arkeologët egjiptianë i kanë gjetur 20 arkivole të lashta në qytetin Luxor. Raportohet se arkivolet janë të mbyllura dhe të ruajtura shumë mirë. Lajmin për këtë zbulim e bëri të ditur Ministria e Antikiteteve.

Një zyrtar tha gjatë konferencës për gazetarë se arkivolet e egjiptianëve të lashtë janë në gjendje shumë të mirë, madje në to vërehen qartë ilustrimet dhe ngjyrat. “Ato janë njësoj siç i kanë lënë egjiptianët e lashtë”, tha ky zyrtar.

Të gjendur afër bregut perëndimor të lumit Nil, arkivolet ishin të shpërndara në dy kate të një grope të madhe. Në këtë vend dikur ishte i ndërtuar qyteti antik, Thebes.

Zyrtarët ende nuk e kanë përcaktuar epokën historike së cilës i përkasin këto arkivole, por një informatë e tillë pritet të bëhet e ditur këtë të shtunë gjatë një konference për gazetarë.

Në deklaratën e Ministrisë së Antikiteteve thuhet: “Ky zbulim është njëri ndër zbulimet më të mëdha dhe më të rëndësishme që janë bërë në vitet e fundit”.

Lajmi për këtë zbulim erdhi më pak se një javë pasi arkeologët e zbuluan një vend tjetër antik, i cili besohet se përdorej për prodhimin e dekorimeve për arkivolet dhe varret e shtresës mbretërore, shkruan “CNN”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat