Vendi nuk ka deklaruar asnjë të vdekur nga coronavirusi, presidenti i Madagaskarit mbron ilaçin vendas për COVID-19

Afrika

Vendi nuk ka deklaruar asnjë të vdekur nga coronavirusi, presidenti i Madagaskarit mbron ilaçin vendas për COVID-19

Më: 12 maj 2020 Në ora: 21:27
Andry Rajoelina

Presidenti i Madagaskarit, Andry Rajoelina, mbrojti promovimin e tij për një ilaç të diskutueshëm vendas për COVID-19, pavarësisht mungesës së provave klinike.

“Ai funksionon me të vërtetë mirë”, ka thënë ai për pijen barishtore Covid-Organics, në një intervistë për FRANCE24 dhe RFI.

Madje, sipas tij, nëse një vend evropian do të kishte zbuluar ilaçin, njerëzit nuk do të ishin aq skeptikë.

“Po sikur të ishte zbuluar ky ilaç nga një vend evropian, në vend të Madagaskarit? A do të dyshonin njerëzit aq shumë? Unë nuk mendoj kështu”, citohet të ketë thënë ai.

Ndryshe, Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) ka paralajmëruar vazhdimisht se pija Covid-Organics, të cilën Rajoelina i Madagaskarit e ka promovuar si ilaç kundër coronavirusit vdekjeprurës, nuk është testuar klinikisht.

Pija rrjedh nga artemisia – një bimë me veti të provuar anti-malarie – dhe barishte të tjera autoktone.

Siç shkruan France24, Guinea Ekuatoriale, Guinea-Bissau, Nigeri dhe Tanzania tashmë kanë marrë shpërndarjen e dërgesave të Covid-Organics, e cila u lansua muajin e kaluar.

“Askush nuk do të na ndalojë të ecim përpara – asnjë vend, e asnjë organizatë”, ka thënë më tej Rajoelina në përgjigje të shqetësimeve të OBSH-së.

Ai tha se prova e efikasitetit ishte në “shërimin” e “pacientëve tanë”, duke e cilësuar atë një “ilaç parandalues dhe kurativ”.

Sipas një raporti nga Universiteti Johns Hopkins, Madagaskari zyrtarisht ka raportuar 186 infeksione me coronavirus dhe 101 të shëruar deri më sot, pa asnjë vdekje.

“Pacientët që janë shëruar nuk kanë marrë asnjë produkt tjetër përveç Covid-Organics”, ka pretenduar presidenti. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat