Mbi nëntë milionë njerëz në Sudan po përballen me mungesë të ushqimit

Afrika

Mbi nëntë milionë njerëz në Sudan po përballen me mungesë të ushqimit

Më: 28 korrik 2020 Në ora: 08:49
Ilustrim

Gati çereku i popullsisë së Sudanit mund të mbesë i uritur pasi konflikti, rritja e çmimit të ushqimeve dhe koronavirusi e kanë përfshirë vendin e Afrikës Lindore.

Rreth 9.6 milionë njerëz po përballen me pakësim të ndjeshëm të ushqimit. Kjo është shifra më e lartë që është shënuar ndonjëherë në historinë e shtetit, shkruan “The Guardian”.

Shumë prej njerëzve të prekur nga mungesa e ushqimit jetojnë në zonat e konfliktit në Kordofanin Jugor dhe rajonin e Nilit të Kaltër, por pothuajse të gjitha rajonet e Sudanit kanë shënuar një nivel të urisë, përfshirë kryeqytetin Khartoum.

Rrjeti për monitorimin e urisë tha se një numër i madh i njerëzve do të kërkojë ndihmë urgjente për ushqim së paku deri në shtator për shkak se çmimet shumë të larta dhe masat për kontrollimin e koronavirusit e kufizojnë në masë të ndjeshme qasjen në ushqim.

Agjencitë e Kombeve të Bashkuara që funksionojnë në Sudan kanë paralajmëruar pasoja të rënda. “Nëse nuk merren masa, njerëzit mund të përfshihen nga pasiguria kronike për ushqim dhe varfëria si dhe nga ndjeshmëria e lartë dhe e përhershme ndaj rreziqeve në të ardhmen”, tha Ëoo Jung Kim nga Programi Botëror i Ushqimit në Sudan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat