Tunizia, 10 vite nga revolta popullore

Afrika

Tunizia, 10 vite nga revolta popullore

Më: 14 dhjetor 2020 Në ora: 13:13
Tunizi

Këtë javë, 10 vite më parë, Tunizia nisi revolucionin e saj, atë që njihet si Pranverën Arabe.

Faktor për nxitjen e rezistencës civile u bë 26-vjeçari Muhamed Buazizi, i cili i vuri vetes zjarrin më 17 dhjetor 2010 para godinës së qeverisë, pasi policia i konfiskoi karrocën me frutaperime me të cilën mbante 8 anëtarët e familjes.

Vdekja e tij dhe mërzia popullore me forcat e policisë dhe papunësinë shkaktuan demonstrata që brenda pak javëve larguan nga pushteti presidentin Ben Ali.

Pas shpresës fillestare për demokraci dhe zhvillim ekonomik, banorët e qytetit të Sidi Buzidit ku filloi revolucioni, thonë se vërejnë pak ndryshime nga e kaluara.

Situatën ekonomike të Tunizisë nuk e ka ndihmuar as pandemia e fundit e kovidit-19.

“Jemi ende pa punë. Punojmë por nuk arrijmë asgjë sepse edhe rroga që marrim nuk mjafton për shkak të inflacionit të lartë. Me një punë nuk i’a dilet dhe gjejmë zgjidhje të tjera.”

“Nuk ka ndryshuar gjë. Ndërtuan një bashki të re, patinuan godinën e guvernatorit, por shërbimi mbeti i njëjtë. Ka pak vende pune dhe kur ka konkurse nga shteti, dëgjojmë vetëm kush e fitoi por pa thirrje të mëparshme publike”

Olfa Lamlum, drejtuesja e një organizate joqeveritare, thotë se situata në Tunizi reflekton mungesën e një strategjie për ndryshim politikash ekonomike, sociale e të tjera.

“Ajo që ndryshoi në thelb është se ka më shumë liri, të drejta për të protestuar, për t’u shprehur. Nga 2011-ta kemi Asamblenë e re, zgjedhjet e parakohshme presidenciale, pastaj parlamentaret. Por për fat të keq, situata socio-ekonomike, pabarazitë socio-territoriale, nuk ndryshuan.”

Në pak muaj revolucioni tunizian do të provokonte trazira edhe për regjimet e egjiptianit Hosni Mubarak, në Libinë e Muhamar Gadafit dhe në Siri.

Në Tunizi mbetën mbi 300 të vrarë, 66 për qind e tyre të goditur me armë zjarri, ndërsa përgjegjësia për dhunën iu ngarkua presidentit Ben Ali, duke u dënuar përjetë, por ai u arratis në Arabinë Saudite ku edhe ndërroi jetë shtatorin e kaluar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat